kqz

KQZ hap 248 kuti të Lezhës, miraton procedurat për numërimin e votave

kqzKomisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje me 4 votat e anëtarëve, rinumërimin e të gjitha kutive të votimit të Qarkut të Lezhës. Vendimi i KQZ është konsideruar si i papritur, pasi në asnjërën prej kërkesave ankimore të partive nuk ishte kërkuar rinumërimi i plotë i 248 kutive. Vendimi erdhi pas kërkesës së dy anëtarëve të KQZ.

Klement Zguri, ishte anëtari i parë që kërkoi hapjen e kutive. Sipas Zgurit, sistemi i numërimit të votave e ka humbur besimin, ndaj dhe kërkohet transparenca e procesit në këtë qark. “Kërkoj të hapim të gjitha kutitë e zonës zgjedhore Lezhë.

Situata është kaq komprometuese dhe e bën dramatike gjendjen në vendet e numërimit të votave, ku kemi një përfshirje të madhe të personave të administratës zgjedhore. Kërkesa ime synon të bëjë të mundur transparencën e kësaj situate”, u shpreh Zguri. Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Hysen Osmanaj, në mbështetje të kësaj kërkese, tha se hapja e 10 kutive në Lezhë dhe ndryshimi total i rezultatit në këto QV, shtoi dyshimin se komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija. “Kodi i ndryshuar Zgjedhor i shtoi masat e dënimit në mënyrë të jashtëzakonshme për administratën që deformon ose pengon procesin.

Hapja e kutive në Lezhë, tregon se pavarësisht se janë shtuar masat, përsëri administrata zgjedhore ka abuzuar me detyrën dhe e ka tjetërsuar rezultatin në Lezhë”, tha Osmanaj. Ky vendim i votuar nga KQZ është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ, të cilët e kanë cilësuar vendimin “çmenduri” dhe të pabazuar në asnjë prej neneve të Kodit Zgjedhor. Anëtarja e KQZ, Vera Shtjefni, tha se hapja e kutive në total, bën transparencën zgjedhore. “Të bëjë transparencën përfundimtare për këtë proces. Të bëjmë transparencë të plotë, sipas bazës ligjore. Zgjidhja më e drejtë është të zgjerojmë hetimin në funksion të marrjes së rezultati të drejtë dhe zgjidhjes përfundimtare” tha Shtjefni.

Procedurat administrative

Pas vendimit për rinumërimin e të gjitha kutive të Qarkut të Lezhës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi procedurat që do të ndiqen për hapjen e 248 kutive të votimit të Qarkut Lezhë. KQZ përcaktoi rregullat që do ndiqen për hapjen e kutive. KQZ vendosi ngritjen e tetë grupeve të numërimit, me nga dy anëtarë, të cilët do të nisin nga puna rreth orës 10:00 të ditës së shtunë. Kutitë e votimi nuk do të depozitohen të gjitha njëherësh në KQZ. Sipas administratës, do të sillen njëherë 120 kutitë e para, të cilat do të vendosen në magazinë. Kur ato të jenë drejtë mbarimit në numërimit nga grupet e numërimit do të sillet edhe gjysma tjetër. Sipas KQZ, nëse procesi shkon mirë, brenda ditës mund të numërohen rreth 80 kuti, nga ku mendohet se i gjithë Qarku i Lezhës pritet të mbarojnë rreth mbrëmjes së ditës së hënë. Përfaqësuesit e partive politike do të kenë nga një vëzhgues gjatë procesit të numërimit dhe të shoqërimit të kutive të votimit, nga Lundra drejt KQZ. Ndërkohë, gjatë debatit për këtë çështje, ata shprehën dyshime se vendimi i KQZ-së cenon integritetin e kutive të votimit.

MB do të verifikojë listat e zgjedhësve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme që të verifikojë listat e zgjedhësve të qendrës së votimit 0907 në qarkun e Lezhës. Në kuadër të shqyrtimit të ankimimit të PS për zonën zgjedhore Lezhë, KQZ vendosi të miratojë kërkesën e socialistëve që pretendojnë se në këtë QV, pas ekspertizës së firmave të votuesve, rezulton se 50 firma janë hedhur nga e njëjta dorë. Po ashtu, PS pretendon se 156 votues të kësaj qendre kanë qenë jashtë vendit, ndërsa për 117 të tjerë është votuar nga persona të tretë. Ndërkohë që KQZ rrëzoi kërkesën e dytë të PS për të shpallur pavlefshmërinë totale të zgjedhjeve në të gjithë qarkun e Lezhës, pasi nga provat e siguruara prej tyre faktohet se ka pasur manipulime në 6 qendra të zonës së Mamurrasit dhe Laçit.

Debate në KQZ për kutitë e Lezhës

-Genc Gjonçaj: E gjitha praktika e ndjekur nga KQZ-ja në ankimim ka pasur bazë dy elemente: Nuk kanë shërbyer kasetat e materialeve filmike si provë dhe e dyta, në ato raste, kur KQZ-ja nuk ka paraqitur shënime lidhur me procesin, KQZ-ja ka thënë se çështja duhet të anullohet. Unë do mbështetja që ankuesi të paraqesë prova dhe në mbledhjen e fundit, u la detyrë që administrate të bëjë verifikimet. Nuk e di nëse është bërë verifikimi për çdo rast, sepse nuk ka raste të përgjithshme.

Arjan Madhi: Ne e kemi marrë vonë kasetën filmike. Interesi i KQZ-së ka thënë i thelluar për Shkodrën. Ne jemi përpjekur të bëjmë leximin e asaj që ka qenë në kasetë. Por unë theksoj se 60% e votave i ishin vjedhur PR-së dhe ndaj i kërkoj KQZ-së që kjo masakër kërkon një hetim të zgjeruar dhe humbja është vetëm koha. Por, nëse vërtetohet se ka ndodhur kudo ajo që ka ndodhur në ato 10 kuti, atëherë ne do kuptojmë se çfarë bëhet. Ajo provë që u soll këtu nuk është provë e veçuar e Lezhës, por që gjendet edhe në Shkodër e kudo.

-Genc Gjonçaj: Vendimmarrja e KQZ-së që i referohet qarkut të Lezhës nuk ka lidhje as me transparencën dhe as me vërtetësinë e fakteve. Ajo vendimmarrje synon të bëjë pis procesin zgjedhor, synon thjesht të vonojë rezultatin e zgjedhjeve ku mazhoranca shkoi në opozitë, synon të përdorë rezultate të falsifikuara e nëse KQZ-ja do të kishte vërejtje do ta bënte para se të miratonte tabelën e Lezhës, por nuk pati interes se tani i erdhi urdhri.

-Njazi Kosovrasti: Padia e re në këtë rast është se ne u besojmë komisionerëve dhe numëruesve. Çfarëdo që thotë ai komisioni atje poshtë, nëse ai ka rënë dakord, edhe ne kemi thënë po me ata. Mirëpo rezultoi që nuk u dashka thënë po, sepse ata prodhuakan një rezultat që nuk është e vërteta. Nga 10 qendra, në 5 qendra u pa se dakortësia kishte vënë dorë në tabelën e rezultateve si dhe në transmetimin elektronik të dhënave këtu në KQZ.

-Ilirjan Muho: Duhet të kemi një standard në hetim. Jo për Kukësin ku e morët mandatin, vini tani e na thoni në qarkun e Lezhës ndodhi kështu dhe po e njëjta edhe në Shkodër. Vendimi që morët është diabolik, po silleni me dy fytyra.

-Lefterije Lleshi: KQZ-ja nuk bënë llogari mandatesh, por shikon vetëm procedurën. Ne pamë që Lezha zbuloi një realitet tjetër dhe ne mbi atë vendosëm.

-Ilirjan Muho: Nëse do provohet se është grupi i numërimit që e ka bërë falsifikimin, ata do mbajnë përgjegjësi, por mund të provohet edhe e kundërta, se ka ndodhur në Lundër. Sepse nuk më duket e mundur që tre vetë kanë rënë dakord për një tabelë.
/sot/