f1_28-bankat-balline-ne-ekonomi-jpg1348860056

Kosovës i duhen banka me kredi më të volitshme për bizneset

Gjatë ditës së dytë të Panairit Financiar 2012, krahas ekspozimit të pjesëmarrësve në panair, u mbajtën edhe dy forume me temë ‘Financimi i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme’ si dhe ‘Rregullativa e Industrisë Financiare’.

Në forumin e parë panelist ishin ekspertë nga sektori bankar dhe mikro-financiar, si dhe përfaqësues nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore.

Panelistët vlerësuan se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë së një vendi, e sidomos për Kosovën e cila ka një treg të vogël. Në Kosovë, aktualisht në sektorin financiar janë të lëshuara 1.7 miliard euro në formë të kredive, ndër të cilat 70 për qind janë të lëshuara për biznese.

Studimi i kryer nga Agjencia për Mbështetje të NVM-ve tregon se problemet kryesore që janë identifikuar janë përdorimi i madh i parave të gatshme, shmangja nga tatimi, mos-prezantimi i biznes planeve nga ndërmarrjet, pasqyrat financiare jo të besueshme, pasqyrat financiare të pa-audituara, problemet me regjistrin e pengut, si dhe një sistem gjyqësor i çalë.

Të gjitha këto kanë bërë që kostoja e financimit për bizneset të jetë më e lartë, edhe pse të dhënat tregojnë se nga viti 2005 deri 2010 normat e interesit për kredi kanë pasur rënie prej 2 për qind. Sipas rekomandimeve të dala nga forumi, në Kosovë ka nevojë për akterë të tjerë financiarë, siç mund të jenë bankat investive që ofrojnë kredi me afat më të gjatë, ose banka që bëjnë kreditimin e agrokulturës, pra institucione financiare të specializuara.

Në forumin me temë ‘Rregullativa e Industrisë Financiare’, panelistët ishin nga Autoriteti Rregullator, përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Zyrës së Thesarit Amerikan si dhe përfaqësues të sektorit bankar.

Në parim, të gjithë panelistët u pajtuan se me aprovimin e ‘Ligjit për banka, institucione mikro-financiare dhe institucione tjera financiare jo bankare’ infrastruktura ligjore në Kosovë iu ka afruar standardeve ndërkombëtare të kërkuara sipas Basel II dhe Basel III. Gjithashtu, u vlerësua se sistemi bankar është stabil dhe i qëndrueshëm, mirëpo ky stabilitet duhet të mirëmbahet përmes përmirësimit të rregullativës në hap me zhvillimet globale.

Panelistët theksuan se ligji i ri ka sjellë më afër institucionet mikro-financiare nën ombrellën e BQK-së, definon kapitalin e klasës së parë si dhe rrit kërkesat ndaj bankave për menaxhimin e riskut dhe të likuiditetit.