Kosova, rol liderist në luftën kundër terrorizmit

Kosova, rol liderist në luftën kundër terrorizmitZëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova, bashkë me vendet e rajonit, është zotuar në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizmit.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Thaçi tha se pjesëmarrja e Kosovës në samitin e ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore që u mbajt të martën në Tiranë, është mesazhi më i mirë se Kosova po konsolidohet në rrugën e saj integruese – rajonale dhe euroatlantike.

Z. Thaçi, si e vlerësoni pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin Rajonal të ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore?

Besoj se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim është një hap përpara, i rëndësishëm për t’u integruar në të gjithë mekanizmat rajonalë, evropianë dhe ndërkombëtarë. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit të ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore, është mesazhi më i mirë se Kosova po konsolidohet dhe në kuadër të integrimeve dhe institucioneve të tjera integruese edhe me vendet e tjera të rajonit por edhe të perspektivës euroatlantike. Kosova përpos anëtarësimit në Konferencën e Frankofonisë, por edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, tani po shënon hapa të rëndësishëm. Një nga angazhimet e mia kryesore në këtë drejtim do të jetë integrimi i Kosovës në mekanizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me procesin e njohjeve të reja. Por, ishin jashtëzakonisht inkurajues edhe mesazhet edhe të vendeve të tjera për progresin e Kosovës. Për rolin paqësor që Kosova po luan në rajon, për vendosmërinë e saj në luftë kundër terrorizmit. Mund të themi lirisht se Kosova është duke luajtur rolin liderist në rajon për sa i përket luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Por, edhe marrëveshja e arritur për normalizimin e marrëdhënieve të plota midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ky është një mesazh që përshëndetet dhe merret mund të them model edhe për problematika të tjera të vendeve të rajonit që i kanë njera me tjetrën. Pra, Kosova do të vazhdojë të punojë maksimalisht me të gjithë. Në kuadër të kësaj, kanë qenë edhe takimet bilaterale që i kisha me shumicën e ministrave të tjerë të jashtëm pjesëmarrës në këtë konferencë.

A përbënte problem për mungesën e ministrit të Jashtëm të Serbisë? Mos kjo ka një domethënie për shkak të pranisë së Kosovës?

Pjesëmarrja ose mospjesëmarrja e ministrit të jashtëm të Serbisë është vendim autonom i Beogradit. Por, me rëndësi ishte që qeveria e Serbisë kishte përfaqësinë e vet diplomatike dhe prezantoi opinionet e veta për zhvillimet në Serbi, për zhvillimet në rajon dhe me theks të veçantë të angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, ajo që është me rëndësi, është se më 26 mars Kosova si shteti më i ri mund të them në botë, por dhe me rolin e vet aktiv në rajon, do të organizojë takimin e gjashtë ministrave të rajonit, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë.

Zoti Thaçi, mendoni se ka vend për përmirësim ose për ndreqje diçka të marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Kosovës dhe Serbisë të 26 dhjetorit 2011, për sa i përket rritjes së numrit të të larguarve nga Kosova?

Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, ka hapësirë për të punuar edhe më shpejt edhe me mirë. Por, me rëndësi është që ajo marrëveshje po vazhdon së implementuari. Do të arrihen edhe marrëveshje të reja pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për çështjen e funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.
Kështu që edhe hapat e tjerë do të ndodhin drejt normalizimit të marrëdhënieve të plota midis Kosovës dhe Serbisë deri në njohjen edhe de jure reciproke.

Meqenëse ju – zoti Thaçi, përmendët çështjen e terrorizmit dhe bashkëpunimit, doli në takim përgjegjësia – po themi, se ku çalon secili prej shteteve?

Ajo që është me rëndësi, është se të gjithë vendet e rajonit janë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Të gjithë vendet e rajonit janë të zotuar në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit. Të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e koalicionit antiterrorist dhe kështu duhet vazhduar edhe në të ardhmen. Kosova në këtë drejtim është shumë e vendosur.