Kosova përfshihet në programet e KE-së

Kosova përfshihet në programet e KE-së

Kosova përfshihet në programet e KE-sëAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg ka miratuar me 115 vota për dhe 11 kundër, një rezolutë për Kosovën, e cila kërkon nga Qeveria, EULEX-i dhe UNMIK-u që të forcojnë sundimin e ligjit si dhe kornizën ligjore dhe institucionale kundër korrupsionit.

Asambleja Parlamentare gjithashtu ka miratuar edhe rekomandimet, që janë obligative, e në bazë të të cilave do të zgjerohet programi i Këshillit të Evropës për Kosovën dhe që i lejon autoriteteve në Kosovë të përfshihen direkt në këto programe.

“Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës” ishte tema e seancës dimërore e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u mbajt të martën në Strasburg.

Në rezolutë, autori i së cilës është deputeti socialist suedez, Bjoern von Sydow, theksohet se përparimi në përmirësimin e sundimit të ligjit është i ngadaltë, në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës, dhe se drejtësia edhe më tutje vuan nga ndërhyrja politike, mosefikasiteti e deri te mungesa e transparencës.

Raportuesi Bjoern von Sydow në raportin për Kosovën, ka theksuar se në dy vitet e kaluar në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme, në kuadër të stabilitetit politik dhe zbatimit të reformave.

Ai megjithatë ka nënvizuar se është e domosdoshme që të ketë përpjekje për përmirësimin e funksionalizimit të institucioneve demokratike, veçanërisht të Kuvendit të Kosovës, dhe  për një punë më efikase në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë.

“Ekziston një mungesë e përgjithshme e sundimit të ligjit në Kosovë. Korrupsioni është i pranishëm në mbarë vendin, ne nivele të ndryshme. Kjo ndërlidhet me drejtësinë, prokurorët…Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë  e parashikueshme për të gjithë”, ka thënë Sydow, gjatë punimeve të seancës. (rel)