Kosova përballë opsionit për të bërë shtet apo për të mbajtur pushtetin!?

Kosova përballë opsionit për të bërë shtet apo për të mbajtur pushtetin!? Kosova gjendet për disa muaj rresht pa qeveri dhe spekulimet për vështirësitë e bërjes së një qeverie legjitime janë të shumta duke filluar që nga idetë e marra për të bërë një koalicion pas zgjedhor me humbësit… duke lënë pas dore fituesit aktualë të zgjedhjeve.

Përplasjet e forta politike për të marrë pushtetin nga grupet politike partiake në Kosovë vazhdojnë të lënë shijen e hidhur se këtu nuk po bëhet fjalë për të konsoliduar shtetin e e ri të Kosovës -shtet që u formua pas një përpjekje vigane të popullit të Kosovës nëpërmjet UÇK dhe ndihmës vendimtare të SHBA nëpërmjet NATO-s, por po bëhet fjalë për të mbajtur apo për të fituar pushtetin me çdo kusht me sa duket me qëllime përfitimi duke përdorur parullën e vjetër …qëllimi justifikon mjetin. Kritikat e ashpra kundra njerëzve që punojnë kundër korrupsionit, për barazinë e gruas, kundër ekstremizmit fetar do të kishin mbizotëruar dhe mposhtur këta njerëz kurajozë nëse BE, EULEX, nuk do të kishte dhënë drejtimin e duhur gjatë gjithë këtyre viteve duke orientuar gjithashtu politikën e re kosovare në hullinë e duhur drejt integrimit për në BE.

Që pas zgjedhjeve politike parlamentare të 8 qershorit 2014, spektri politik kosovar vazhdoi në një ngërç të paparë dhe lufta politike ishte aq e ashpër sa që qëllimet dhe taktikat për të arritur qëllimet klienteliste të disa drejtuesve kosovarë dolën shumë qartë para publikut kosovar, atij shqiptar dhe ndërkombëtar , aq sa dhe ambasadorja amerikane replikoi për gjendjen e stanjacionit politik kosovar duke përdorur një shprehje jo shume eulogjiste se sa banale duke thënë… don’t fuck up…

Dihet se rezultati i zgjedhjeve parlamentare ishte kështu: PDK: 29,62% -Hashim Thaçi LDK: 24,8% – Fatmir Sejdiu VV: 13,03% – Albin Kurti AAK: 9,16% -Ramush Haradinaj NISMA: 5,09% -Fatmir Limaj AKR: 4,48% -Behxhet Pacolli Vonesat për konstituimin dhe formimin e qeverisë së re janë shkaktuar gjithashtu dhe nga debatet brenda Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mosveprimi energjik i Presidentes së Kosovës, sigurisht për shkak të presioneve të hapura dhe të fshehta.

Fitorja e PDK me 8 qershor me 29.62%, i dha mundësinë kësaj Partie të krijonte koalicionin përkatës, mundësi e cila u kundërshtua me pa të drejtë nga humbësit, të cilët edhe duke e njohur e kuptuar Kushtetutën e vendit krijuan një koalicion pas zgjedhor fiktiv vetëm e vetëm për të mos lejuar PDK të krijonte qeverinë e re me pretekstin se drejtuesit e PDK dhe vetë Thaçi ishin armiq apo të korruptuar e për pasojë vonuan me dashje 5 muaj formimin e qeverisë së re dhe mos funksionimin e Parlamentit e duke vënë në një krizë të rëndë Republikën e Kosovës. Sigurisht marrëveshja PDK dhe LDK i jep fund zyrtarisht amullisë politike të shkaktuar nga grupet e tjera politike të cilët bënë çmos për të kundërtën, madje duke shfrytëzuar dhe faktorë, të cilët nuk duhej të shfrytëzoheshin për të vonuar konstituimin e Parlamentit dhe të formimit të qeverisë së re si p.sh: -Shfrytëzimin e bashkësive fetare në një shtet laik si Kosova, para edhe pas zgjedhjeve -Nacionalizmin shqiptar si para ashtu dhe pas zgjedhjeve.

Krijimi i një koalicioni midis dy partive më të mëdha kosovare, partive që i kanë dhënë tempin për të ecur përpara drejt BE nëpërmjet integrimin duke patur SHBA një përkrahës të flaktë dhe një nga shtetet kryesore që riformatoi gjeopolitikën e Ballkanit të shek XXI.

Në asnjë mënyrë liderët e partive humbëse pavarësisht simpatisë ndaj tyre si Ramush Haradinaj kryetar i AAK, Albin Kurti i VV, Fatmir Limaj (ish në PDK) Kryetar i ARK, nuk duhet të kundërshtojnë një koalicion të tillë sepse ky koalicion midis dy partive oponente ndaj njëra tjetrës gjatë këtyre viteve, PDK partia e UÇK dhe e trimave të luftës, ashtu dhe LDK Partia e Ibrahim Rugovës, Gandit të Kosovës dhe e Fatmir Sejdiut pavarësisht Programeve jo të njëjta për zhvillimin e Kosovës për hir të Unitetit Kombëtar dhe të integrimit për në BE- janë të domosdoshme për të dhënë mesazhin e qartë dhe të thjeshtë të bashkimit dhe të forcimit politik dhe ekonomik të vendit drejt integrimit europian dhe të fqinjësisë të mirë. Këto pesë muaj pa qeveri, Kosova u gjend para sfidave të mëdha dhe acarimit të problemeve të vjetra.

Ashtu sikurse tha Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest” në një tryezë të organizuar nga instituti Riinvest, me temën “Klima e Biznesit në Kosovë 2014″ ‘se përgjatë viteve të shkuara, ekonomia e Kosovës, është ballafaquar në vazhdimësi me barriera institucionale, financiare, informale, fiskale ligjore, e të fuqisë punëtore. Nuk ka dyshim-tha ai- që ekonomia e vendit tonë, sipas të gjitha treguesve të saj makroekonomik, nuk po arrin të marrë veten dhe se ky stagnim ekonomik, buron nga një nën performancë e sektorit privat si dhe problemet si Korrupsioni, sundimi i ligjit e ngërçi politik, janë barrierë për bizneset në Kosovë.

Jan-Peter Olters nga Banka Botërore, tha se shkalla e papunësisë dhe deficiti tregtar janë dy elemente të dobëta të ekonomisë së Kosovës, e të cilat duhet të përmirësohen në mandatin e qeverisjes së ardhshme. Ndërsa theksoi se sektori privat është ai që definon suksesin apo dështimin e zhvillimin ekonomik.

“Po bëhen pesë muaj të bllokadës ekonomike dhe ne vend numërojmë. Situata po përkeqësohet dhe se kjo sigurisht që kjo ka ndikuar tek bizneset vendore, ndërkombëtare, partneret tanë ndërkombëtar dhe investitorët potencial, duke i dhënë një mesazh të paqartësisë institucionale, politike dhe ekonomike në vend (http://koha.net/?id=27&l=33130).

Dje u takua Kryeministri në detyrë z. Hashim Thaçi me Kryetarin e LDK z. Isa Mustafa. Z. Hashim Thaçi pohoi se: “…Biseduam rreth punës së grupeve punuese për programin qeveritar dhe për ndarjen e përgjegjësive institucionale. ishte konkludim i përbashkët se është bërë një punë efektive në kuadër të bashkëpunimit ndërpartiak, PDK-LDK, që qeverisja të jetë e suksesshme në realizimin e projekteve dhe agjendës. Presim që marrëveshjen përfundimtare ta nënshkruajmë javën e ardhshme kur do të bëhet ndarja e përgjegjësive institucionale…” (http://lajmi.net/edhe-thaci-thote-se-javen-e-ardhshme-ndahenpostet_10008…) .

Le të shpresojmë që Kosova pavarësisht problemeve politike gati të papajtueshme midis spektrave politikë kosovarë dhe midis vetë individëve që janë aktualisht kryetarë partie, të konsolidohet edhe më dhe nën kujdesin e BE dhe SHBA të ecë përpara drejt integrimit dhe drejt bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë me ish armiqtë e saj shekullorë Serbinë dhe sllavët në përgjithësi, por edhe ndaj konsolidimit të laicizmit duke respektuar fenë Islame dhe komunitetin e madh të saj si një fe që respekton shtetin laik dhe ndihmon në zgjidhjen dhe respektimin e problemeve që kanë lidhje me minoritetin serb, turk e rom, duke dënuar racizmin nacionalist dhe ekstremizmin fetar.