17-shetia-24

Kosova festoi ditëlindjen

Trevjetori i pavarësisë së Kosovës u festua të enjten anembanë vendit, ndërkohë që në orët e mbrëmjes e kremtja e madhe po vazhdon në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Mijëra qytetarë janë mbledhur në Prishtinë për të ndjekur koncertin e organizuar me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së shtetit të tyre, deri më tani të njohur nga 75 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Të enjten në mëngjes, rrugët, shitoret, shtëpitë, ndërtesat, ishin të stolisura me flamurin shtetërorë dhe atë kombëtar. Në Sheshin “Nëna Terezë” gjatë ditës pati program edhe për fëmijë e të rritur, këngë, valle dhe daulle, si dhe shumë shëtitës. Kënga e muzika do të zgjasin edhe gjatë mbrëmjes deri vonë.

Në trevjetorin e Pavarësisë së Kosovës, liderët e institucioneve dhe partive politike u përulen para të rënëve për lirinë e saj dhe falënderuan përjetësisht miqtë ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e ndihmuan atë në realizimin e aspiratës shekullore për të qenë shtet i pavarur e sovran.

Ndërsa adresuan mesazhe publike, liderët institucional dhe partiak bënë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë, te kompleksi memorial i Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, në Prekaz dhe te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial në Gllogjan.

Në ditëlindjen e tretë si shtet i pavarur, Kosova është njohur nga 75 vende të botës dhe shtetësia e saj është bekuar edhe nga mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Me gjithë sfidat e deritashme, qytetarët urojnë që institucionet të punojnë më shumë në konsolidimin e shtetit, ta çojnë Kosovën drejt përmbushjes së zotimeve për integrime evropiane, duke qenë se mbetet i vetmi vend evropian, qytetarët e të cilit duhet të kërkojnë leje për të lëvizur lirshëm.