A policeman observes the main bridge ove

Kosova druan se BE-ja do autonomi për veriun

Prishtina zyrtare nuk e ka deshifruar ftesën e Komisionit Evropian të inkorporuar në Raportin e Progresit që të dalë me një “agjendë gjithëpërfshirëse për veriun”. Megjithëkëtë, ka arritur t’ia japë dy interpretime. Nga njëri druan, dhe thotë se, po u nënkuptua ashtu, e ka të gatshme përgjigjen negative.

Një zyrtar i lartë qeveritar që ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se nga formulimi mund të nxirren edhe dilema se me këtë është kërkuar një autonomi për pjesën e veriut, përtej asaj çfarë parashihet në Pakon e presidentit Martti Ahtisaari, shkruan Koha Ditore.

“Formulimi i bërë në Raportin e Progresit, në mes rreshtash nuk mund të lexohet asisoj sa të përputhet me propozimin tonë për zgjidhjen e çështjes së veriut. Duket se është imponuar përfshirja e kësaj porosie nga vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me çka kanë menduar një zgjidhje ndryshe prej asaj që parasheh Pakoja e Ahtisaarit”, ka thënë ky zyrtar i lartë i Qeverisë, në kushte anonimiteti. “Normalisht se kjo është e papranueshme, sepse rrezikon funksionalitetin e brendshëm kushtetues të Kosovës”.

Veriu i Kosovës ka zënë një pjesë të madhe të Raportit të Progresit të sivjetmë, i publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian. Pos që konstatohet se në këtë pjesë ekzistojnë struktura “separate” të mbështetura nga Beogradi, në të thuhet se serbët nuk kanë marrë pjesë as në regjistrim të popullsisë e as në zgjedhje.

Komisioni ka ftuar Prishtinën që të dalë me një “agjendë gjithëpërfshirëse për veriun”, porosi kjo për të cilën një zyrtar në BE ka thënë se “duke pasur parasysh se ata janë qytetarë të Kosovës, i takon Prishtinës që t’i përfitojë”.

Edhe burime në Bruksel kanë thënë se, në një mënyrë, nga BE-ja kjo mund të shihet edhe si pranim se nuk mund të zbatohet në veri Pakoja e Ahtisaarit në atë mënyrë se si është zbatuar në pjesë të tjera të Kosovës.

E, burimi i gazetës brenda Qeverisë që ka mohuar mundësinë për të përmbushur të tillë kërkesë të BE-së për veriun, ka thënë të ketë edhe disa gjasa që me këtë formulim të jetë nënkuptuar diçka tjetër. Sipas tij, në qoftë se Brukseli me “agjendë gjithëpërfshirëse për veriun” ka nënkuptuar “zgjatjen e dorës së autoriteteve të Prishtinës për komunitetin serb në veri”, kjo është punë e kryer, pasi që prej gjysmës së muajit të shkuar Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile, ka përpiluar një udhërrëfyes të qartë për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit, ligjit dhe demokratizimin në pjesën veriore të Kosovës.