kmdlnj-300x286

Komuna e Graçanicës shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka reaguar publikisht lidhur me shkeljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga zyrtarët e komunës së Graçanicës.

Në zyra e KMDLNJ-së kanë ardhur qytetarë të komunës së Graçanicës, përkatësisht qytetarët e Lagjes “NIC “ të cilët janë ankuar se zyrtarët e kësaj komune u lëshojnë dokumente vetëm në gjuhën serbe (alfabeti cirilik ) edhe për qytetarët e komuniteteve jo-serbe. Banorët shqiptarë të kësaj lagjeje këtë e marrin si provokim.

KMDLNJ, me këtë rast konstaton se kjo është shkelje e hapur e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, saktësisht shkelje e Ligjit Nr. 02/L-37, neni 7, 8 dhe 9 i Ligjit dhe Ligjin për Jodiskriminim, përkatësisht Ligji Nr. 2004/ 3.

Dihet se Ligji për përdorimin e gjuhëve, përveç se garanton të drejtën e përdorimin të gjuhës në të gjitha fushat e komunikimit me qytetarë dhe obligon strukturat komunale që të themelojnë njësi të veçanta përkthimi.

“KMDLNJ, konstaton se një diskriminim i tillë është i papranueshëm dhe me këtë i bënë thirrje Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Komisionit të Gjuhëve që të ndërmerr masa për ndërprerjen e kësaj dukurie diskriminuese.

E drejta për përdorimin dhe respektimin e gjuhës është e drejtë e garantuar jo vetëm me akte vendore por edhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Ndër të tjera, KMDLNJ thërret për vëmendje që diskriminimi në përdorimin e gjuhëve të mos shndërrohet në dukuri institucionale.