f.0928104151940_m

Kompromiset mund të ringjallin UÇK-në

Paralajmërimet e fundit nga faktori ndërkombëtar se para Prishtinës dhe Beogradit qëndrojnë vendime të vështira, mund të ngjallin refleksione dhune në Kosovë, madje mund të prishë “ekuilibrin” e sigurisë të krijuar gjatë gjithë kësaj dekade. Ish-guerilët e pensionuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë deklaruar se nuk do të “bëjnë sehir” nëse tentohet t’i jepet ndonjë status special apo autonomi veriut të Kosovës.

Në këtë drejtim ata parashohin trandje të mëdha dhe se nuk do të rrinë duarkryq nëse “paria” e shtetit merr guximin të bëjë kompromise të dhimbshme në “kurriz” të shtetit.

Madje, shoqatat e luftës kanë theksuar se nëse ndodh ndarja e veriut, atëherë Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës. Sipas tyre, lëkundja e kufijve do të jetë problem për gjithë rajonin, jo vetëm për Kosovën.

Megjithatë, gatishmëria e krerëve të shtetit të Kosovës që të ulen e të dialogojnë me Beogradin në nivelin më të lartë politik, ka filluar të ngallë shqetësim, sikurse te partitë politike opozitare ashtu edhe shoqëria civile.

Deklarata e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton, se para Prishtinës dhe Beogradit qëndrojnë vendime të vështira, dhe që dialogu duhet të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur, shihet si një parapërgatitje për kompromise të dhimbshme që mund të bëhen për pjesën veriore të Kosovës, shkruan “Zëri”.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka thënë se “qëndrimet e organizatave të luftës janë më se të qarta se s’ka ndarje të territorit të Kosovës, por nëse ka tentativa të tilla, atëherë pakënaqësitë do të jenë shumë më të mëdha sesa që i parashikon dikush. Nëse tentohet që të ndodhë ndarja e veriut, atëherë ne do të kërkojmë që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës”.

“Por dua të theksoj se lëkundja e kufijve do të jetë problem për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Kosovë, sepse ne s’do të rrimë duarkryq kur bëhet fjalë për interesa të shtetit dhe çështje kombëtare. Ne po i përcjellim zhvillimet në Kosovë, por në asnjë formë s’do të jemi spektatorë kur vihet në pikëpyetje tërësia territoriale e Kosovës”, ka thënë Muharrem Xhemajli.