|

Komisioni Qendror Zgjedhor jep rezultatet preliminare

Komisioni Qendror Zgjedhor jep rezultatet preliminare Pas shumë shtyrjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor më në fund ka dhënë rezultat preliminare të zgjedhjeve lokale nëpërmjet kryetares, Nesrin Lushta, e cila ka rikujtuar faktin se këto rezultate mund të pësojnë ndryshime, pasi aty nuk përfshihen votat me kusht, duke shtuar se në disa vendvotime ende nuk është bërë numërimi i votave.


Në bazë të rezultateve paraprake, nga qendrat e mëdha, në Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së e në Gjakovë ai i AAK-së, në Ferizaj kandidati i PDK-së, ndërkohë në qendrat tjera të mëdha, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, do të ketë balotazh.

Sipas këtyre rezultateve, në kryeqytet ka fituar kandidati i LDK-së, Isa Mustafa me 56.6 %. Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj i AAK-së me 67.7%. Në Mamushë ka fituar kandidati i partisë turke KDTP, Arif Bytyqi me 80.9%

Në Gjakovë fitues ka dalë kandidati i AAK-së, Pal Lekaj me 52.8 %. Në Gllogovc ka fituar kandidati i PDK-së, Nexhat Demaku me 89.9% të votave. Në komunën e Fushë Kosovës zgjedhjet i ka fituar kandidati i LDK-së Burim Berisha me 57.2 %.

Në Leposaviq ka pasur vetëm një kandidate, Ardita Hasani nga AAK, e cila ka fituar përqindjen e plotë të zgjedhjeve.

Kandidati i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka fituar me 50.2% të votave. Kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku, ka fituar zgjedhjet në komunën e Skenderajt me 85%. Në Shtime, kandidati i PDK-së, Naim Ismajli, ka fituar 51.6% të votave në këtë komunë. Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga PDK, ka fituar 50.5% të votave.

Në Zveçan, të gjitha votat i ka fituar kandidati i AAK-së, Sami Kelmendi, ndërsa në Zubin Potok ka dalë fitues kandidati i PDK-së, Naser Ferizi me 53.4%. Në komunën e Graçanicës, fitues është Bojan Stojanoviq me 61.8%. Në Ranillug, Dragimir Mikic, nga GIOR me 70.4%, ndërsa në Kllokot, Sasha Mirkoviq, nga SLS ka fituar të gjitha votat.

Kryetarja e KQZ-së deklaroi se pas dy ose tri ditëve do të jepet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

Etiketa: , , , ,