Kolegji hap kutitë, Tropoja rrëzon Berishën, LSI merr Kukësin

Kolegji hap kutitë, Tropoja rrëzon Berishën, LSI merr Kukësin

Kolegji hap kutitë, Tropoja rrëzon Berishën, LSI merr KukësinKa ndodhur ajo që nuk mund të imagjinohej. Sali Berisha, në zgjedhjet e 23 Qershorit, ka humbur edhe në vendlindjen e vet, Tropojë. Miti i Berishës është rrëzuar edhe në Tropojë, por ai i ka vjedhur votat me bandat e Flamur Nokës, për të marrë mandatin e tretë në Qarkun e Kukësit.

Mandati i është grabitur Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke u ruajtur raporti i 2009 3-1. Edhe pse mbajti me forcë mandatin e katër në Kukës, duke regjistruar punonjësit e Ministrisë së Brendshme, Berisha nuk i fitoi do tre mandate, por u detyruar të fuste duart në kuti.

Gjithsesi, edhe në Kukës janë përmbysur balancat, nga 3-1 në 2-2. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje për të tretën herë Komisionin Qendror të Zgjedhjet, duke hapur kutitë e Tropojës, ku fshihet mandati i grabitur i Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI, për të marrë mandatin, i duhen vetëm 15 vota. Ndërkaq, nga këqyrja e pamjeve filmike, LSI i janë vjedhur rreth 150 vota. Hapje e kutive do të zyrtarizojë humbjen e PD në Kukës pas 23 vitesh pluralizëm. Kujtojmë këtu që Sali Berisha ka pësuar një disfatë të thellë edhe Shkodër, Dibër, Durrës, Kavajë, Bilisht, në njësi 8 në Tiranë dhe në çdo bastin të djathë.

Vendimi i Kolegjit

Kolegji Zgjedhor vendosi dje rinumërimin e 15 kutive të Qarkut të Kukësit, ku LSI pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti i fituar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit . Në bazë të vendimit, rinumërimi i votave do të bëhet nga Gjykata e Apelit dhe jo në KQZ. Kolegjit Zgjedhor, kryesuar nga Valbon Çekrezi, i janë dashur më shumë se tre orë për të arritur në këtë vendim, pasi administroi provat e paraqitura nga ekspertët, Ardian Pollo i LSI dhe Zamir Hoxha i PD. Si provë më të fortë, LSI paraqiti pamjet filmike të 15 qendrave të votimit në qarkun e Kukësit, ku tregohej mospërputhja e numrit të votave me rezultatin e tabelave. përmbledhëse. Dy ekspertët e caktuar nga Kolegji, dorëzuan dy raporte të kundërta. Eksperti i LSI, Ardian Pollo deklaroi para anëtarëve të Kolegjit se nga pamjet filmime dallohet qartë për kë është votuar, pasi tre sekondat që fleta e votimit qëndron në monitor e vërteton këtë fakt qartë. Ndërkohë, ai është kundërshtuar nga eksperti i PD-së, Zamir Hoxha i cili tha se në pamje filmime nuk dallohet numri i Qendrës së Votimit, ndaj pretendimi i LSI bie. Sa i takon kutive të votimit, ato duhet të dorëzohen brenda datës 27 gusht në Gjykatën e Apelit. Kutitë do të merren direkt nga magazina në Lundër, me makinat e ushtrisë për t’u dorëzuar në Gjykatë.

PD e bindur për fitoren

Eksperti ligjor i PD, në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kolegjit Zgjedhor, teksa theksoi se vendimi është i ndërmjetëm dhe jo përfundimtar, u shpreh i bindur për fitoren e demokratëve në këtë qark. “Nuk mundet të komentojmë në përgjithësi për këtë proces se është vendim i ndërmjetëm dhe është në vijim. Ç’ka mund të them është që nuk shqetësohemi pasi jemi të bindur për pastërtinë e fitores sonë në Kukës. Ajo që prisnim ishte i njëjti standard që Kolegji duhet ta bënte dhe në qarqe të tjera si p.sh në Fier. E kemi konsideruar që në krye të herës këtë proces si një proces ankimor strategjik në vazhdën e atyre vendimeve që vonojnë shpalljen ne rezultatit zgjedhor dhe përbaltjen e rezultatit të Kukësit. Nga eksperienca të mëparshme Kolegjit i është dashur dhe kohë më gjatë, ankimi i LSI është strategjik”, theksoi Kaso.

41 kërkesa ankimore

KQZ, këto ditë ka shqyrtuar gjithsej 41 kërkesa ankimore nga subjektet zgjedhore. Objekt i shqyrtimit të kërkesave ka qenë kundërshtimin e vendimeve të KQZ për miratimin e tabelave të rezultateve të zonave zgjedhore. Fundi i gjithë procesit ankimor u regjistrua dy ditë më parë. Zëdhënësja për shtyp e KQZ, Drilona Hoxhaj, bëri me dije se KQZ rrëzoi 33 prej tyre. “Gjatë shqyrtimit të këtyre 41 kërkesave ankimore, KQZ shqyrtoi rast pas rasti problematikën sipas objektit të ankimit të paraqitur duke rrëzuar plotësisht 33 prej tyre. Vetëm për dy zona zgjedhore, KQZ nuk u kufizua në objektin e kërkimit të paraqitur nga subjektet zgjedhore”, tha Hoxhaj.