Hashim Thaci

Koalicioni, “trik” i Thaçit

Trumbetimet e ditëve të fundit për një koalicion të ri qeverisës ndërmjet dy partive të dala nga lufta e UÇK-së, shihen si një “trik” i kryeministrit Hashim Thaçi, që ka të bëjë me zhvendosjen e vëmendjes nga bisedimet që pritet të zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e veriun.

Mundësia që PDK-në ta ndërrojë partnerin e saj të koalicionit qeverisës, duke u bërë bashkë me AAK-në përgjatë dy viteve të ardhshme të këtij mandati, vlerësohet të jetë vështirë e realizueshme, edhe pse ditëve të fundit është spekuluar shumë për mundësinë e një bashkëqeverisje në mes partisë së Hashim Thaçit me atë të Ramush Haradinajt, kur Kosovën e presin tema “të nxehta” që thuhet se do të jenë në agjendën e bisedimeve edhe veriu i Kosovës, shkruan “Zëri”.

Vetë zyrtarët e lartë të partisë së Haradinajt përjashtojnë çdo mundësi të hyrjes në koalicion me partinë e kryeministrit Thaçi.

Sipas tyre, trumbetimet për bashkëqeverisje me AAK-në, janë “lojë” e Thaçit që po e zhvillon në kohën kur shteti i Kosovës po rrezikohet të futet në bisedime me shtetin serb për çështjen e veriut.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, konsideron se “sa herë që vendi ballafaqohet me kriza të mëdha politike, ekonomike…, kryeministri Thaçi e zhvendos vëmendjen diku tjetër, sikurse është rasti i fundit, kinse për koalicion të ri qeverisës me AAK-në.