KNKK, përkrahje zbardhjes së fatit të personave të zhdukur

KNKK, përkrahje zbardhjes së fatit të personave të zhdukur

KNKK, përkrahje zbardhjes së fatit të personave të zhdukurKomiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vlerëson angazhimin e institucioneve të Kosovës, në mënyrë të veçantë Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Delegacionin e Kosovës në kuadër të grupit të punës për Persona të Zhdukur.

Zv/drejtoresha për Operacione të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qëndrore, Caroline Douilliez-Sabouba theksoi përkushtimin e KNKK-së në përkrahje të mëtejshme në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, duke adresuar të drejtën e familjarëve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Kjo bëhet e ditur nga zyra e shtypit e Qeverisë së Kosovës, pas një dreke pune dje të zv/kryeministres Edita Tahiri, shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, me zv/drejtoreshën për Operacione të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qendrore, Caroline Douilliez- Sabouba dhe përfaqësuesit e KNKK-së në Prishtinë.

Në takim ishin prezentë edhe Prenk Gjeta, kryetar i Komisionit Qeveritar për të pagjeturit dhe Arsim Gerxhaliu, drejtor i departamentit të Forenzikës.

Zv/kryeministrja Tahiri edhe njëherë shprehu zotimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që çështja e personave të zhdukur do të vazhdoje të mbetet si prioritet i veçantë për institucionet e Republikës së Kosovës deri në zgjidhjen e plotë të kësaj çështje me rëndësi të veçantë për familjarët dhe mbarë shoqërinë kosovare.

Gjatë bashkëbisedimit u shtrua edhe çështja e varrezës masive në Rashkë, Serbi, ku u shprehën shqetësimet rreth zhvillimeve të fundit përkatësisht zvarritjeve në konkretizimin e hapave të mëtejshëm për procedim profesional të këtij rasti.
Në Kosovë, mëse 15 vjet pas luftës, ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1700 të zhdukurve.