KMDLNj: Tensionim i panevojshëm për rastin `Grupi i Drenicës`

KMDLNj: Tensionim i panevojshëm për rastin `Grupi i Drenicës`

KMDLNj: Tensionim i panevojshëm për rastin `Grupi i Drenicës`Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut KMDLNj reagon për zhvillimet rreth QKUK-së. Thotë se u bë tensionim i panevojshëm i situatës për rastin “Grupi Drenica”.

KMDLNj kërkon nga Ministria për Punë të Brendshme të formojë një ekip hetimor që do të hetonte sjelljet e policëve të Policisë së Kosovës të cilët nuk ishin në nivel të detyrës.

KMDLNj kërkon nga Ministria e Drejtësisë përkatësisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës që të formojë një komision hetimor që do të hetonte sjelljet e oficerëve korrektues si dhe transferet nga qendrat e paraburgimit apo qendrat korrektuese në Spitale Rajonale apo QKUK-ë të mos bëhen pa monitorim të një mekanizmi të pavarur.

KMDLNj e përsërit kërkesën për domosdoshmërinë e ndërtimit të një qendre spitalore vetëm për personat e privuar nga liria.

KMDLNj e respekton lirinë e fjalës, lirinë e tubimit dhe lirinë e protestës por kujton se këto janë të rregulluara me ligj ndërsa në rastin konkret kemi pasur dhunim të ligjit, lirisë së fjalës dhe lirisë së protestës.

Për KMD LNj-në është e papranueshme anarkia që u vendos në këtë klinikë dhe mbetet e pashpjegueshme sjellja indiferente e policisë e cila ka mandat të vendos rregull aty ku shkelet rregulli. Ndërsa rregulli ishte shkelur pa asnjë dyshim në këtë klinikë nga ana e protestuesve. Kjo tregon qartë se Policia e Kosovës në këtë rast ka zbatuar standarde të dyfishta krahasuar me disa raste të ngjashme kur ata që kanë bllokuar hyrjet e institucioneve janë larguar me dhunë ose janë shpërndarë pas përdorimit të gazit lotsjellës.

Për KMDLNj-në është e papranueshme dhe e dënueshme sjellja e protestuesve ndaj gazetarëve të mediave elektronike dhe atyre të shkruara të cilët jo vetëm që u penguan në kryerjen e punëve të tyre fizikisht por ata edhe u fyen, kërcënuan, shantazhuan dhe njëri prej tyre u sulmua fizikisht duke u grushtuar nga protestuesit.

Gjithashtu, disave u morën celularët për t’i fshirë incizimet si dhe u kërcënuan se do t’u thyhen kamerat nëse nuk i dorëzojnë filmimet apo nuk largohen nga vendi i ngjarjes. Këto veprime të dhunës ndaj gazetarëve janë të dënueshme dhe KMDLNj ka pritur dhe pret që prokurori të reagojë ex ofitio në bazë të incizimeve që u janë prezantuar shikuesve përmes mediave të shumta elektronike. Zhvillimet rreth QKUK –së përbëjnë elemente të veprës penale dhe ky rast nuk do të duhej të përmbyllej pa hetime dhe pa një vendim të gjykatës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë menjëherë dhe fuqishëm e pati kundërshtuar vendimin e gjyqtarit Dariusz Sielicki për transferimin e të paraburgosurve të akuzuar të njohur si “Grupi Drenica” nga qendrat e paraburgimit në Dubravë dhe Prishtinë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën veriore.

Krejt në fund, KMDLNj e dënon çdo përpjekje që zhvillimet rreth QKUK –së të përdoren apo keqpërdoren për qëllime politike në fushat ën që ende nuk ka filluar zyrtarisht por po zhvillohet me një intensitet të shtuar. KMDLNj shfaq habi pse askush nuk ka reaguar në mbrojtje të gazetarëve të cilët u penguan në kryerjen e punëve të tyre.