Bajram-Rexhepi

KFOR-i ia tërheq vërejtjen Rexhepit

Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i është tërhequr vërejta nga ana e KFOR-it për deklaratat e tij të “ashpra” që po i bën për pjesën veriore të vendit, më saktësisht për paralajmërimin e banorëve lokalë se shpejt do të fillojë çarmatimi i tyre në atë pjesë të vendit dhe arrestimi i kriminelëve.

Zyrtarët e KFOR-it kanë kërkuar nga ministri Rexhepi që të përmbahet nga deklaratat e “ashpra” për pjesën veriore të vendit, sepse, sipas tyre, këto deklarata vetëm sa po nxisin banorët lokalë dhe po provokohet situata, shkruan gazeta Zëri.

Këtë gjë e ka konfirmuar për gazetën një zyrtar i lartë nga KFOR-i në kushte anonimiteti, sipas të cilit, deklaratat e tilla të ministrit Rexhepi mund të provokojnë serbët në veri të destabilizojnë situatën.

“Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler ka kritikuar ministrin Rexhepin për mënyrën se si publikisht dhe para kohe po jep deklarata të tilla. Ai i ka rekomanduar atij që për hir të situatës, tash për tash të ruhet prej deklaratave të tilla”, citohet të ketë thënë ky zyrtar.

Nuk është KFOR-i kundër çarmatimit të personave që mbajnë armë ilegale qofshin ato në veri, apo edhe në pjesë tjera të Kosovës, por meqë situata në veri është ndryshe, duhet të pritet në moment tjetër për të vepruar, e ky moment tani nuk është, thotë ai.

I kontaktuar nga gazeta, ministri Rexhepi nuk e pranoi se ka marrë kritika të tilla nga KFOR-i, i cili tha shkurt se mes tij e KFOR-it ka marrëdhënie shumë të mira.

“Nuk dua të flas për spekulime të tilla, ne kemi marrëdhënie të mira”, tha shkurt ministri.

Zyrtarisht as KFOR-i nuk e pranon se ia ka “ngrehur veshin” ministrit kosovar të rendit.

“Nuk jemi në pozitë që të komentojmë deklarata të tilla politike. E sa i përket çarmatimit në veri, e kemi thënë edhe më herët se për momentin nuk është prioritet i yni një aksion i tillë”, u shpreh zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Wihter.

Zëri ka raportuar ditë më parë se ndërkombëtarët kanë siguruar Serbinë se në veri nuk do të ketë aksione tjera të ardhura nga Prishtina. Por, pavarësisht kësaj, ministri Rexhepi ka thënë se aspak nuk i bëjnë përshtypje këto deklarata.