14kfor_1408111642_1

KFOR: Çarmatimi në veri s’është prioritet

Çarmatimi në pjesën veriore të Kosovës aktualisht për KFOR-in nuk paraqet prioritet. Zyrtarë të qeverisë kanë kërkuar ndihmën e këtij misioni për çarmatim, por në KFOR thonë se aktualisht i duhet dhënë shansi procesit politik. 

Autoritetet kosovare kërkojnë çarmatimin e individëve dhe siç i quajnë ata grupeve kriminale serbe në veri, por për këtë iu duhet ndihma e misioneve ndërkombëtare, në veçanti e KFOR-it.

Por, KFOR-i aktualisht nuk është i gatshëm që të ndërmarrë aksion çarmatimi në pjesën veriore të Kosovës, me gjithë pohimet për arsenal të madh armatimi ilegal, transmeton REL.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter, thotë se i duhet dhënë shansi procesit , politik, para se të shqyrtohet një çarmatim eventual.

“Kjo nuk është çështje e kohës aktuale, është një çështje në plan afatgjatë, ne do ta shqyrtojmë atë. Por, jo në plan afatshkurtër. Ne duhet të përqendrohemi në procesin politik, në procesin paqësor dhe mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ecur tash”, thotë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter.

Që nga ndërhyrja e njësive speciale të Policisë së Kosovës për të vënë kontroll në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit, ndërhyrje kjo që u pasua me vrasjen e një polici kosovar nga snajperistët serbë, djegien e pikës kufitare në Jarinë, vendosjen e bllokadave rrugore e të shtënat në drejtim të KFOR-it, misioni paqeruajtës ka marrë rolin e negociatorit në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë rol, një javë më parë, KFOR-i arriti një pajtueshmëri për të qetësuar situatën e tensionuar në veri, plan ky, që ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.

Por, KFOR-i insiston në qetësimin e plotë të situatës, para se të ndërmerret ndonjë hap tjetër, siç është çarmatimi.

“Ne jemi gjatë gjithë kohës në diskutime me të dy palët, duke diskutuar të gjitha gjërat. Por, aktualisht ai (çarmatimi) nuk është prioritet”, thotë Uihter.

Në pjesën veriore të Kosovës dhuna ka qenë e pranishme jo rrallë herë, ndërsa posedimi i paligjshëm i arsenalit të madh të armatimit nuk është fshehtësi.

Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, serbë të armatosur patën djegur pikat kufitare 1 dhe 31, ndërkaq, në përpjekjet e autoriteteve për të kthyer Gjykatën e uzurpuar të Qarkut në Mitrovicë,  që vrarë një polic i UNMIK-ut.

Kryesit e krimeve nuk janë sjellë ende para drejtësisë.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se për hir të një sigurie afatgjatë dhe të qëndrueshme, tani duhet të ndodhë çarmatimi i popullatës serbe.

“Në veri, as Policia e EULEX-it, as e Kosovës duke mos shtrirë autoritetin nuk e zbatojnë kontrollin e plotë të arsenalit të armatimit që është në posedim privat, por edhe të strukturave ilegale çfarë janë atje. Kjo ka bërë që një arsenal i madh i armatimit të jetë te këta qytetarë, pra që në një formë rezultoi me vrasjen e policit edhe me akte tjera të dhunshme në këtë pjesë të Kosovës”.

“Përgjigjja se duhet një qetësi e situatës po shkakton veprime të bandave kriminale, apo strukturave ilegale dhe kjo çështje e pritjes për një gjendje tw re, më të relaksuar po shkon në pafundësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nuredin Ibishi.

Ai thotë se sasia e madhe armëve ilegale që ndodhet në duart e grupeve të ndryshme në veri, paraqet rrezik jo vetëm për qytetarët por edhe për vetë institucionet e sigurisë që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

Ibishi shpreh bindjen se aksioni i qeverisë për të futur nën kontroll, pjesën që nuk iu bind Prishtinës për 12 vjet me radhë, duhet të pasohet me çarmatosjen e popullatës serbë që jeton në veri.

“Duhet të ketë gatishmëri të institucioneve të sigurisë që kur të ndërmarrin një veprim të tillë, të shkojnë deri në fund. Duhet të ndërmerren aksione të caktuara, të grumbullohen armët”, thotë Ibishi.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy vjet më parë Ligjin për Armët, i cili për posedim të armëve pa leje tregtim të tyre, apo shkelje tjera të ligjit parasheh gjoba prej 1 mijë deri në 100 mijë euro, ose edhe dënim me burg prej dy deri në pesë vjet.