Këtë vit pa ICO dhe me EULEX të reduktuar
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh, ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është shprehur i bindur se fundi i vitit 2012 do ta gjejë Republikën e Kosovës pa Zyrë të ICO-s dhe me kompetenca të reduktuara të EULEX-it.
Kuçi në një intervistë për “Epokën e Re”, tha se kjo do të ndodhë si rezultat i ngritjes së kapaciteteve vendore dhe qëndrueshmërisë së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
Prioritetet tjera të Qeverisë së Kosovës, sipas Kuçit, do të jenë: plotësimi i kërkesave që do të dalin nga raporti me BE-në, rendi dhe ligji dhe zhvillimi ekonomik.
Ndërsa, sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, Kuçi ka deklaruar se kjo ministri gjatë vitit që e lamë pas i ka përgatitur 14 projektligje, të cilat janë bazë për konsolidimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.