FOTO_TXT_Termocentrali_-_KushtrimTernava_ardian_gjini_640298

Këta që po e varfërojnë vendin do të përgjigjen

Shefi i Grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës lidhur me gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve të vendit, duke thënë se një ditë e gjithë kjo farsë e qeverisë do të ndërpritet dhe këta njerëz që po i varfërojnë qytetarët do të përgjigjen.

Në një deklarim para deputetëve të Kuvendit, Gjini tha se qeveria ka ardhur me pushtet me premtimin se do të zbusë gjendjen e rëndë sociale, mirëpo, sipas tij vetëm sa janë duke e rënduar. Ai tha se ajo që po ndodh tani është se po “shtrydh si limoni”, edhe atë kategori të qytetarëve që iu ka rritur pagat.

Gjini deklaroi se përdorimi i arkave fiskale me qëllimin uljen e invazionit fiskal nuk është real pasi sipas tij ky është projekt që iu ka ndihmuar disa bizneseve, pastaj rritja e taksave, shtrenjtimi i rrymës etj janë kërkesa të Qeverisë dhe jo të organeve tjera në kohën kur gjendja sociale është e rëndë.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së pyeti Qeverinë se “edhe çka iu ka mbet tjetër që ta rëndojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”.

Në këtë drejtim, Gjini deklaroi se nuk do të votojnë asnjë ligj që do të rëndojnë jetën e qytetarëve dhe kërkoi që ligjet e tilla të kthehen prapa.

Deputeti i AAK-së tha se Qeveria aktuale pati thënë se nuk do të pyes askënd kur do të jetë në pyetje përmirësimi i gjendjes ekonomike për qytetarët e Kosovës, por sipas tij e gjitha kjo është farsë.

Gjini deklaroi se një ditë të gjitha këto farsa do të ndërpriten dhe këta njerëz që i varfërojnë qytetarët do të përgjigjen.