Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 2014, rritet tarifa e pastrimit, çerdheve dhe kopshteve

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin 2014, rritet tarifa e pastrimit, çerdheve dhe kopshteve

Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 2014, rritet tarifa e pastrimit, çerdheve dhe kopshteveMbrëmë, pas shumë debatesh është miratuar nga Këshilli Bashkiak buxheti për vitin 2014, i cili ishte shtyrë nga mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak, më 26 dhjetor 2013. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, këtë buxhet të ri të Bashkisë së Tiranës, e cilësoi, si një shkëputje nga e kaluara. “Ndahemi nga e kaluara dhe japim votën pro. Për buxhetin jemi bashkëpërgjegjës” është shprehur Dalipi. Fillimisht, këshilltari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Brahimllari, përfaqësues i grupit të LSI-së, kërkoi që të vihej në rendin e ditës çështja e vendosjes së emrit “Dëshmorët e 4 shkurtit” në një prej rrugët e Tiranës, nga vendrrotullimi i sheshit “Uillson” deri te shkolla Petro Nini Luarasi, si edhe vendosja e emrit “Sami Frashëri” të rrugës nga rrethrrotullimi i sheshit “Uillson” deri te shkolla “Vasil Shanto”. Shezai Rrokaj theksoi se ka kaluar një vit dhe nuk ka asnjë rrugë me këtë emër. Kryetari i opozitës, Pone tha se ky propozim duhet të konsultohet në komision, e me administratën e Bashkisë. Ndërkohë Aldrin Dalipi kërkoi që të mblidhet administrata, të raportojë dhe më pas të votohet në Këshill.

Taksat dhe tarifat vendore
Më pas anëtarët e Këshillit diskutuan për sistemin e taksave dhe tarifave vendore. Dhori Kule kërkoi që të miratohet paketa fiskale e ardhur nga ekzekutivi. Ai u shpreh se mbledhja e Këshillit Bashkiak është e vonuar. Këshilltari Dhori Kule tha se ato që ka vendosur parlamenti në lidhje me paketën fiskale do të pasqyrohen edhe në treguesit e taksave dhe tarifave vendore. Ndërsa këshilltarja Berberi vuri në dyshim treguesit e të ardhurave, që ka parashikuar Bashkia, duke theksuar se edhe në vitet paraardhëse ato janë realizuar shumë më ulët nga parashikimi. Berberi dhe këshilltari Gazheli propozuan që taksa për pasurinë për biznesin të ulet 30 përqind. Kryetari i Opozitës, Pone tha se ky propozim i maxhorancës vjen i vonuar, kur kishte 2 muaj kohë, ndërkohë që tani duhet të rishikohet të gjitha treguesit që të reflektohet ky propozim i maxhoranxës së Këshillit Bashkiak. U vendos që të pranohet ky propozim i maxhorancës, dhe të miratohet vendimi për taksat dhe tarifat vendore, por Bashkia në mbledhjen e ardhshme të sjellë reflektimet përkatëse ne treguesit, që do të preken nga ulja 30 %, e taksës për pasurinë e biznesit. Nënkryetari i Bashkisë Eno Bozdo akuzoi qeverinë se i ka marrë kompetencat Bashkisë në mbledhjen e taksave. Lidhur me këtë replikoi këshilltarja Berberi, e cila tha se Bashkia ka një organikë prej 340 nëpunës, por nuk ka eficensë në mbledhjen e taksave. Bozgo theksoi se do të ketë rritje të nivelit të taksës për ndërtimet për biznes. Ai bëri me dije se është i detyruar të paraqesë një paketë me rritje taksash dhe kjo është pasojë e politikës së paketës fiskale që ka miratuar qeveria e re dhe parlamenti. Këshilli Bashkiak miratoi rritjen e tarifës për kopshtet dhe çerdhet. Sipas ndryshimeve të miratuara tarifa për kopshtet nga 160 lekë në ditë do të jetë 180 lekë në ditë. Ndërkohë që tarifa për çerdhet ishte 130 lekë në ditë dhe u bë 145 lekë në ditë. Me propozimin e PS-së taksa për pasurinë për bizneset do të ulet me 30%.

Berberi: Buxheti nuk është i konsoliduar 
Këshilltarja Berberi kritikoi mungesën e transparencës së shpenzimeve nga ana e Bashkisë së Tiranës, duke shtuar dhe se buxheti 2014 është i pakonsoliduar dhe është pak i besueshëm që të realizohet, duke parë se në vitet paraardhëse, buxheti nuk është realizuar. Bashkia, sipas këshilltares Berberi ka dështuar në realizimin e të ardhurave, gjë që është bërë pengesë edhe në realizimin e investimeve të parashikuara. Kryetari i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi pohoi se projektbuxheti i vitit 2014 është paraqitur me ndryshimet përkatëse, por është e pakuptueshme që Bashkia po zvarrit me vite të tëra investimet për rikonstruktimin e rrugëve, çerdheve që kanë vlerë disa milionë lekë në më shumë se 5 vjet. Nënkryetari i Bashkisë sqaroi se në Projektbuxhetin e 2014 përfshihen edhe projekte rrugësh për të cilat nuk ka fonde për’ tu realizuar por që do te lihen në pritje të investitorëve. Ai theksoi se në fillim të vitit 2012 nuk u la asnjë projekt i gatshëm nga administrata e kaluar.

Basha i fshihet ballafaqimit
Si edhe në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak, edhe mbrëmë, mungoi kryebashkiaku Lulzim Basha. Kreu i Këshillit Bashkiak Aldrin Dalipi e ka kritikuar kreun e Bashkisë Lulzim Basha, për mungesën në këtë mbledhje, duke e quajtur këtë një “veprim të shëmtuar, një akt i paprecedent”. Këshilltarët e Partisë Socialiste dhe të LSI-së, kanë sqaruar se ai projektbuxhet u kthye për rishikim, pikërisht edhe për mungesën e Bashës. Megjithatë, këtë herë, ata do të tolerojnë për hir të interesave të qytetarëve, pasi, sipas Dalipit, Bashkia Tiranë, nuk do që të miratohet buxheti, për të justifikuar dështimin e tij. Jakup.B.Gjoça /Sot