Kampionati i Kosovës

Kampionati i Kosovës nuk i nis stërvitjet sipas planit

Kampionati i KosovësStërvitjet e skuadrës së futbollit, Prishtina, nuk kanë nisur sipas parashikimeve. Kampionia në fuqi e Kosovës, stërvitjet për stinorin pranveror të Raiffiesen Superligës është dashur t’i fillojë të enjten, por fillimi është shtyrë të paktën për një ditë.

Trajneri Afrim Tovërlani anulimin e stërvitjes të së enjtes e ka arsyetuar me probleme teknike në stadium.

“Një prishje në rrjet ka bërë që në stadium të mos ketë rrymë e ujë. Për këtë arsye stërvitja nuk është mbajtur, ani pse të gjithë ishin prezentë”, ka thënë Tovërlani. Ai ka mohuar mundësinë që lojtarët të kenë bojkotuar stërvitjen. Futbollistët e Prishtinës ditë më parë kanë bërë të ditur se klubi u ka mbetur borxh dy rroga, të nëntorit e të dhjetorit si edhe një premi me vlerë prej 250 eurosh.

“Sot stërvitja nuk është anuluar për ndonjë bojkot, por për shkak të mungesës së rrymës e ujit. Ne ishim skuadra e fundit që ndërpreu stërvitjet në fund të vitit të kaluar. Kemi stërvitur deri më 28 dhjetor, ndërsa deri në fillim të kampionatit kanë mbetur edhe plot dy muaj. Nuk është ndonjë humbje e madhe, pasi tri-katër ditët e parë kalojnë kryesisht duke bërë matje. Nëse rregullohet rryma e uji, atëherë do të stërvisim nesër (e premte v.j.). Për sot në plan kemi pasur një vrapim të lehtë”, ka shtuar Tovërlani.