jelko-kacin1

Kacin: Kosova është fqinje e Serbisë, dhe jo pjesë e saj

Nëse Serbia nuk do ta definojë territorin e vet pa Kosovën, atëherë pyetësori që duhet plotësuar përpara se të fitohet statusi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk do të pranohet nga Komisioni Evropian. Këtë pyetësor do ta dërgojë më 24 nëntor në Beograd, komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, por autoritetet serbe duhet ta kenë të qartë se Kosova është fqinje e Serbisë, dhe jo pjesë e saj. Kështu ka deklaruar të enjten raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin.Eurodeputeti slloven Kacin ka thënë se kusht që Serbia të përparojë drejtë Bashkimit Evropian është bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte dhe normalizimi i raporteve me shtetin fqinj, Kosovën. Sipas tij, qasja e Beogradit ndaj Prishtinës, është pengesa kryesore drejt stabilitetit rajonal, gjë që duhet të ndryshojë.

Autoritetet serbe kanë deklaruar se në pyetjen se “Cili ëhstë territori i Serbisë”, do të përgjigjen duke u mbështetur në Kushtetutë. Mirëpo analisti amerikan me origjinë serbe, Obrad Kesic, ka deklaruar për të përditshmen e Beogradit, “Politika” se Serbia tashmë ka hyrë në një fazë ku më nuk vlen retorika e vjetër “Edhe Kosovën, edhe Bashkimin Evropian”.

“Pyetësori i Komisionit Evropian, përgjigja në pyetjen se ‘Cili është territori i Serbisë’, do ta vë Serbinë në pozicionin që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, ose duke u përgjigjur (pa Kosovën) të heq dorë nga politika dhe retorika e deritashme”, ka thënë Kesic.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë, e cila kishte vlerësuar se do ta kalojë lehtë këtë çështje, tani kur është mbështetur për murit, shihet se nuk ishte ashtu sikur paragjykonte Beogradi.

Ndërsa Kacin ka thënë se Qeveria e Serbisë duhet të fokusohet në punë dhe jo të paragjykojë se cilat do të jenë pyetjet e pyetësorit, sepse ato sipas tij nuk i vlerëson Beogradi dhe as ai si raportues, por Komisioni Evropian.