Kabineti Mustafa, pa program qeveritar

Kabineti Mustafa, pa program qeveritar

Kabineti Mustafa, pa program qeveritarEkzekutivi i Kosovës është duke funksionuar pa program qeveritar. Mungesën e këtij dokumenti, në opozitë e shohin si papërgjegjësi të pushtetit, por në Kabinetin Qeveritar kanë paralajmëruar se brenda dhjetë ditësh do ta finalizojnë dhe do t’i paraqitet Kuvendit për votim.

Qeveria është konstituuar gati dy muaj më parë dhe deri tash ka mundur ta hartojë vetëm planin e punës për 2015-n. Dhe, nuk mungon vetëm Programi qeveritar, shkruan sot ‘Koha Ditore’.

Kryeministri Isa Mustafa akoma nuk ka emëruar të gjithë zëvendësministrat, ndërkaq prej kësaj jave ka mbetur vakant një pozitë ministri, ngaqë, nën presionin e protestave të opozitës, e ka shkarkuar ministrin e Komuniteteve dhe Kthimit, Aleksandar Jablanoviq.

Ministri Arban Abrashi, që është edhe zëdhënës i Qeverisë, ka thënë të enjten se pikërisht kanë qenë protestat dhe zhvillimet e tjera politike që janë ndërlidhur me “Trepçën”, por edhe vëmendja që është dashur t’i kushtohej ndryshimeve në Buxhet para se ai të miratohej, të cilat kanë bërë që deri tash disa punë të ngecin. Por ka theksuar se Programi qeveritar brenda pak ditësh do të jetë gati.