f1_26-ofer-jpg1343327612

Juve me ofertë zyrtare për Xhekon

Në “lëmshin” e transfereve të krijuara nga pavendosmëria e Van Persiet dhe nga kërkesat e larta të Fiorentinës që “burgosin” Jovetiqin, gjatë orëve të fundit Juventusi ka zhvendosur vëmendjen tek Edin Xheko. 

Giuseppe Marrota ka vendosur të përshpejtojë bisedimet me Manchester Cityn për sulmuesin boshnjak dhe për këtë arsye i ka ofruar klubit anglez një shifër prej 20 milionë eurove. Mësohet se propozimi zyrtar është refuzuar menjëherë nga trajneri i Cityt, Roberto Mancini, dhe nga drejtuesit anglezë, të cilët nuk po kalojnë një moment pozitiv, duke qenë se nuk kanë bërë ndonjë blerje në këtë afat kalimtar.

Gjithsesi, krerët e klubit italian nuk e kanë ndërmend të dorëzohen lehtë dhe mund të tentojnë që të sigurojnë shërbimet e boshnjakut edhe në formë huazimi, me të drejtë blerjeje përfundimtare, raportojnë mediumet italiane.

Nga ana tjetër, vetë futbollisti ka dhënë aprovimin e tij për transferimin në Itali, edhe për arsye se City, ku duhej të arrinte nivelet më të larta, është shndërruar në një burg të artë për të. Tani Xheko kërkon të gjejë hapësirën e munguar për të shkëlqyer dhe me Juventusin ka pasur shkëndija të vjetra. Bardhezinjtë, në fakt, kanë tentuar ta sjellin në Torino që në janar të 2011-s. Klubi italian, ndër të tjera, është gati t’i ofrojë një kontratë deri në 2016, me një pagesë prej 5 milionë eurove për një sezon, plus bonuset (aktualisht lojtari ka një kontratë deri në 2015-n me Cityn, ku përfiton 6 milionë euro në sezon). Gjithsesi, mbetet për t’u bindur sheiku Mansour, i cili ka paguar 35 milionë euro për ta blerë nga Wolfsburgu.