Vizita ne Rudar, fq 7_741381_thumb_large

Jetojnë me barrikada

Familja e Tahir Kelmendit, është e vetmja që jeton jo shumë larg barrikadave në Rudare. Pavarësisht problemeve të fundit në këtë pjesë të Kosovës, ky shqiptar ka vendosur me këmbëngulësi të qëndroj në shtëpinë e tij. E për këtë vendim ai ka fituar respekt të madh nga komunarët e Mitrovicës. Madje të enjten këtë familje e vizitoj personalisht kryetari i kësaj komune, Avni Kastrati.

Tahir Kelmendi, është shqiptari i vetëm që jeton jo shumë larg barrikadave që të qojnë në fshatin Rudare të Mitrovicës. Shtëpia e tij, ndodhet në fshatin Kelmend të komunës së Zveçanit.

Për të arritur aty, ky banor duhet patjetër ti kalojë barrikadat e vendosura nga banorët serb, pasi shtëpia ndodhet pranë tyre.

Edhe përkundër kësaj dhe problemeve që kohëve të fundit janë paraqitur në pjesën veriore të Kosovës, Tahiri dhe e gjithë familja e tij nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë shtëpinë e tyre. Dhe për këtë, ai është i vendosur plotësisht, prandaj edhe ka fituar një respekt të veçantë nga krerët e komunës së Mitrovicës.

Kështu familjen Kelmendi të enjten e vizitoj i pari i Mitrovicës, Avni Kastrati. Qëllimi i kësaj vizite tek kjo familje shqiptare, ishte shprehja e respektit që ai ka për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët përkundër shqetësimeve për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre nuk janë zhvendosur prej atje.

“Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të del në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”, ishin fjalët që kryetari, drejtuar familjarëve të Tahirit.

Derisa shprehte kënaqësitë që ai ndjente për këtë vizitë të kryetarit, Tahir Kelmendi vazhdonte me këmbëngulësi të mbronte premtimin e tij. Edhe përkundër faktit që nuk ka asnjë fqinj shqiptarë afër, Tahiri thotë se nuk ka menduar kurrë që të largohet nga shtëpia e tij. “Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk e kam ndërmend të lëvizi. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”, thotë Tahiri.

Megjithatë sipas rrëfimit të këtij burri, jeta e familjes së tij në këtë pjesë të Kosovës nuk ishte aspak e lehtë edhe para problemit me barrikadat. Sipas këtij shqiptari të vetëm në këtë pjesë, përveç gjatë kohës së luftës kur serbët ia kishin vrarë një vëlla, ai kishte edhe një problem tjetër shumë vite më parë.

“Djalin tim ma kanë verbuar në të dytë në kohën kur ishte ushtar në ish-ushtrinë jugosllave. Kjo dhimbje më ka përcjell gjatë gjithë jetës. Por prapë shtëpinë nuk e lëshoj”, thotë i bindur Tahiri, i cili ka vetëm një kërkesë nga kryetari.

Tahir Kelmendi ka shprehur nevojën për rregullimin e një distance të shkurtër të rrugës që e lidh me fshatin Boletin, të cilin e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga në Rudare. Pasi sipas tij, kur situata në veri është e qetë, ai vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare, edhe përkundër faktit që rrugës ai kalon nëpërmes serbëve. “Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por pos ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telashe të madhe”, tregon Tahiri.

Por nuk është Tahir Kelmendi i vetmi shqiptar që jeton në pjesën veriore të Mitrovicës, e që ka probleme kur punët nuk janë mirë aty. Sipas Avni Kastratit, kryetarit të komunës së Mitrovicës, ka edhe shumë familje të tjera që e kanë fatin e njëjtë sikurse Tahir Kelmendi. Madje ai tha se shqiptarët e tjerë që jetojnë në tri fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit, i kanë punët edhe më keq. Kjo pasi sipas kryetarit Kastrati qe dy javë ato familje kanë mbetur komplet të izoluar për shkak të këtyre bllokadave.