Jeta Faqolli: U pendova që operova buzët

Jeta Faqolli: U pendova që operova buzët

Hapat në karrierë i ka hedhur gradualisht, duke u mbështetur fort pas parimit se “ punët e mira, bëhen avash avash”. Lidhjen me skenën e ka të fortë, pasi emocionet i ka larguar që në moshën 5 vjeçare.

Si një zotëruese e mirë e skënës, ajo ja di hilet, di se si të injektojë tek publiku adrenalinë dhe gjithmonë e ka realizuar. Sharmi, linjat e trupit i kanë ngjitur epitetin seksi, por në ndryshim nga shumë kolegë të tjerë, s’ka qenë pikërisht ky çelësi i suksesit.

Puna e mirë e pa lodhur e ka ngritur Jetën deri aty ku ajo është sot. Shumë dalje në skenë, videoklipe të realizuara, bashkëpunime me shqiptarë e të huaj e kanë forcuar profesionalisht dhe i kanë dhënë dhe famën që ajo mban. Teksa të gjithë e njohin nga ekrani, nga videoklipet apo nga zëri i saj, “Tendenca Verore” mundohet të zbulojë të fshehtat e jetës së Jetës. Mardhënien e saj me motrat dhe lidhjen me familjen, si i ka raportet Jeta me paranë dhe kirurgjisë plastike e deri tek pushimet e kësaj vere. Ndërkohë Jeta Faqolli, na rrëfen se klipi e bashkëpunimi me “Deep System” është ndër më të rëndësishmit e karrierës së saj, e sipas të gjitha gjasave kënga e saj e sapo publikuar do të shndërrohet në një hit dhe jo vetëm në Shqipëri. Në një hit edhe në Rumani, ku djemtë e grupit i kanë kërkuar Jetës për të shfaqur klipin e ajo me shumë kënaqësi ka pranuar. Në një rrëfim të veçantë, Jeta Faqolli rrëfen jetën e saj, huqet e zakonet si edhe faktin se kriza ekonomike ka mbërthyer edhe artistët.

Si nis një ditë për jetën?

Dita ime nis gjithmonë rreth orës 10.00. Për momentim jamë duke i kaluar ditët pranë familjes time, pasi kanë ardhur edhe motrat nga Gjermania. Më pas ditën mundohem ta ndaj mes miqve, familjes duke pirë kafe apo diskutuar dhe më pas në mbrëmje, nëse kam ndonjë plan për të dalë, në rregull, në të kundërtën gjendem sërish pranë familjes.

Nëse do të kalonim pak tek axhenda verore. Si ka qenë ky sezon për Jetën?

Mirë, mirë, është e kënaqshme, por do të doja që të ishte edhe më impenjative. Ndaj do të doja të ishte të paktën ashtu sikundërse ka qenë dhe vitin e kaluar. Ndjehet pak rënie këtë vit.

Si i ka mardhëniet Jeta me paratë?

Unë kam mardhënie të mira me paranë. Unë nuk jam tip që shpenzoj shumë, por kur vjen puna tek kënga apo klipi unë atje nuk kursehem. Gjithmonë paguaj shumë, pasi kërkoj padyshim edhe cilësinë më të mirë. Dua të bëj gjënë më të mirë nga ana profesionale. Në jetën e përditshme nuk është se jam e keqe me lekun. Di që ta ruaj edhe ta kursej. Për mua paraja është i rëndësishëm, e fitoj me punë dhe padyshim që dua ta ruaj.

Shpesh artistët ( jo vetëm shqiptarë) kanë një marrëdhënie të komplikuar me operacionet plastike. Po ju ç’mardhënie keni me kirurgjinë plastike?

Jo, jo, jam larg kirurgjisë plastike. Ndërhyrja e vetme, për të cilën edhe jam penduar, është një ndërhyrje e vogël tek buzët, gjë që edhe dihet. Nuk është një diçka e dukshme, pasi është bërë një ndërhyrje shumë e vogël. Unë isha shumë mirë dhe ashtu siç isha, ndaj edhe jam penduar për këtë ndërhyrje që kam bërë. Në atë periudhë doli në modë që të realizoheshin ndërhyrje kirurgjikale, e shumë këngëtarë e kishin bërë. E kështu më “mbërtheu” dhe mua dhe e realizova. Në të ardhmen? Jo me kaq do të mbetem gjithmonë dhe nuk kam për të provuar kurrë më gjëra të tilla.

Ç’karakter është Jeta?

Unë jam shumë këmbëngulëse. Për një gjë që unë e dua dhe e pëlqej arrij ta bëj përgjithësisht.

A keni ndonjë zakon, huq të veçantë?

Hmmm ( qesh). Nuk e di se ç’të them, por përshembull, kur fle gjumë natën, i mbyll grilat deri në fund pasi nuk dua që të kem dritë. Nuk dua që të kem as dritë e as zhurmë. Unë flej në një dhomë bashkë me motrën time e të dyja kujdesemi shumë për njëra-tjetrën. Më pëlqen shumë qetësia absolute kur jam në gjumë.

Cila është ngjyra e preferuar?

Aktualisht e verdha. E përdor në të gjitha veshjet e mija, madje e kam përdorur shumë edhe në klip. E verdha më ka tërhequr shumë në këtë stinë.

Pushimet e verës? Mes Spanjës, Sarandës dhe Greqisë

Unë para dy javësh kisha pesë ditë të lira, të cilat i kalova në Spanjë, ndërsa pas disa ditësh do të jetë Saranda destinacioni i ardhshëm. Në fakt do të jenë disa ditë pushimi të cilat do ti ndaj me familjen time. Do të jetë një shtëpi në Sarandë që do të na mbledhë të gjithë. Më pas diku, rreth shtatorit mund të kaloj edhe disa ditë pushimi me shoqërinë. Bëhet fjalë për një plan, që shpresoj të realizohet për të kaluar disa ditë në Greqi.

It’s time për Deep System

Jeta: Eksperiencë e mrekullueshme, klipi boom në Rumani

Unë sapo kam përfunduar një bashkëpunim me të famshmit Rumun “Deep System”. Në fakt kënga “Its Time” sapo është hedhur në treg dhe ka vetëm pak fare ditë që ka dalë edhe videoklipi i saj. Ishte një ndër eksperiencat më të bukura profesionale, padyshim që është një këngë tepër e bukur, tepër e veçantë dhe që mban edhe firmën e grupit me famë botërore. Kënga pas shfaqjes në Shqipëri do të dalë edhe në Rumani, ku pritet që të ketë një boom të vërtetë. Megjithëse sapo ka dalë, jam tepër e kënaqur që kënga është pëlqyer nga të gjithë dhe është shndërruar në një hit të vërtetë. Jam e bindur se kjo këngë do të jetë ndër hitet e kësaj vere dhe jo vetëm në Shqipëri.

Jeta Faqolli, ka lindur në qytetin e Librazhdit. Ka qenë vetëm 5 vjeçe kur nisi karrierën si këngëtare, falë pjesëmarrjes në koncerte dhe festivale për fëmijë. Në moshën 10 deri 14 vjeç, studion për mandolinë. Pikërisht gjatë kësaj kohe, familja e saj transferohet në Tiranë. Në vitin 2001, merr pjesë në festivalin e pranverës dhe pas disa muajsh, nis përgatitjet për albumin e saj të parë, realizuar në studion “FAF” dhe punuar nga Fabian Asllani. Në 2002-shin albumi i titulluar “Mashkull i hutuar” del në treg, shoqëruar nga klipi promocional me po të njëjtin titull. Kënga “Mashkull i hutuar” e bën atë të njohur për publikun dhe i hap dyert për koncerte. E fillojnë kështu performancat në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Merr pjesë gjithashtu në disa festivale, si “Top Fest”-i, “Nota Fest”-i apo “Poli Fest”-i, e në festivalin e fundit merr edhe një çmim për Interpretimin më të mirë. Në vitin 2005 nxjerr videoklipin e ri, me titull “Vetëm me ty”, një kompozim i Gramoz Kozelit, me tekst të Gjergj Jorgaqit. Albumi i saj i dytë titullohet “Provokimet” e shoqërohet nga klipi me të njëjtin titull. Kënga me tekst të Avni Qahilit dhe kompozim të maqedonasit Darko Dimitrov bëhet tepër popullore dhe Jeta bën sërish bujë në tregun muzikor, kësaj rradhe pas pjesëmarrjes në “Top Fest”, “shpërthen” me një bashkëpunim ne grupin Rumun, “Deep System”.

Nuk e di se ç’të them, por përshembull, kur fle gjumë natën, i mbyll grilat deri në fund pasi nuk dua që të kem dritë. Nuk dua që të kem as dritë e as zhurmë.