Behgjet-Pacolli3

Java e njohjeve të reja

Në kuadër të turneut lobues në kontinentin e Afrikës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas vizitës në shtetin e Malit, ka vazhduar aktivitetin lobues në Republikën Federale të Nigerisë, në kryeqytetin Abuja. Pacolli ka shfaqur besimin e tij se kjo javë është javë e njohjeve për shtetin e Kosovës nga kontinenti afrikan.

Gjatë kësaj vizite, e cila është e dyta brenda një periudhe të shkurtër kohore, Pacolli ka takuar udhëheqës të lartë shtetëror të këtij shteti, të cilëve u ka ripërsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran. Edhe nga shteti i Nigerisë, Pacolli ka marrë përkrahje dhe garanci se njohja e Kosovës do të shqyrtohet me seriozitet në një periudhë të shkurtër kohore.

Sipas një komunikate për media, pas Nigerisë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ka udhëtuar për në Chad, në kryeqytetin e këtij shteti N’Djamena, ku ka takuar personalitete të larta shtetërore.

Turneu lobues i zëvendëskryeministrit Pacolli, për shtimin e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me vizitat nëpër disa shtete të Afrikës Perëndimore. Të martën dhe të mërkurën Pacolli do të vizitojë Republikën Federale të Togos, Republikën e Beninit, dhe Republikën e Kongos.