wm_jashari-190311

Jashari: S’ka kthim mbrapa për veriun

Jo edhe shumë i qetë me zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti në veriun e vendit, Murat Jashari, fjala e të cilit ka peshë të veçantë në Kosovë dhe në rajon, e ka vlerësuar pike të zezë situatën në veri të vendit. Sipas tij, për shumë vjet, 13.5 për qind e territorit ka qenë jashtë kontrollit të institucioneve të vendit, ku mbretëruar kontrabanda dhe krimi, andaj ka qenë koha e fundit që institucionet e vendit të ndërmarrin masat e nevojshme për ta vendosur atje rendin dhe ligjin.

“Veriu i Kosovës ka qenë pike e zezë, ose një plagë e hapur e Kosovës dhe shoqërisë sonë. Një veprim, siç ishte ai për marrjen e pikave doganore ka qenë dashur të merret shumë më herët, por marrë parasysh bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, ngjarjet janë zvarritur ose janë shtyrë deri në ditët e sotme. Tani kemi një situate të re të krijuar atje, mendoj që gjithçka është e hapur, nga këndvështrimi im, nga analizat e mia, nga ajo që unë mendoj”, ka thënë Murat Jashari.

Ai ripërsëriti, se në qoftë se tani Qeveria e Kosovës tërhiqet nga vendimet e veta, mund të ndodhë gjithçka, ndërsa pasojat do të jenë të mëdha.

“Nëse institucionet tona, të mbështetura edhe nga populli, e këtë mbështetje e kanë, nuk tërhiqe, sepse janë hapa të ligjshëm, hapa që i garanton Kushtetuta, punët, ndoshta me vështirësi, por do të rregullohen. Tekefundit janë të gjitha fuqitë e mëdha ato që kanë njohur Kosovën me këta kufij dhe natyrisht fuqitë e mëdha i mbështesin institucionet në vendimin që marrin dhe i ndihmojnë për t’i jetësuar ato”, ka konstatuar ndër të tjera Murati, shkruan Zëri.

Në të kundërtën, sipas Muratit, do të jetë diçka e dhembshme dhe do të dalin në pah ato, siç tha Murati, “dilemat e shumta”.

“Nëse institucionet e Kosovës tërhiqen nga vendimet e veta që kanë marrë për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin, për ta sprovuar rendin dhe ligjin edhe në pjesën, deri tani të kontrolluar nga bandat kriminale, atëherë mund të ndodhë “Ahtisari plus”, apo edhe 6-pikëshi i Ban Ki-moonit, e këtë nuk do ta dëshironim”, ka vijuar ai.