Japonia, partner bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë

Japonia, partner bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë

Japonia, partner bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm në KosovëAgjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) të mërkurën ka mbajtur një seminar të asistencës zyrtare japoneze për zhvillim me ç’rast së bashku me partnerët e saj kanë paraqitur gjendjen e programit dhe të projekteve të saj dhe kanë diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

Toshia Abe, përfaqësues i zyrës së JICA-s në Ballkan, tha se fushat ku do të jenë prioritet i bashkëpunimit me Kosovën do të jenë zhvillimi i infrastrukturës mjedisore, si dhe rritja e kapaciteteve administrative njerëzore në Kosovë.

“Ne e filluam asistencën tonë me Kosovën në vitin 2009 dhe pasi që Japonia njohu pavarësinë e Kosovës mbi bazën e kësaj JICA filloi projektin e saj në Kosovë. Fushat ku JAICA do të ketë prioritet në Kosovë janë zhvillimi i infrastrukturës dhe rritja e kapaciteteve administrative njerëzore”, theksoi ai.

Gëzim Kasapolli, zëvendësministër në Ministrinë për Integrime Evropiane tha se fokusi i JICA-s në Kosovë është zhvillimi i kapaciteteve njerëzore drejt institucioneve të Kosovës.

“Sot shënojmë 5 vite bashkëpunim shumë të mirë më JICA-n në fushat më të rëndësishme. Fushat ku na ka ndihmuar Japonia janë shëndetësia, arsimi dhe kultura dhe të gjitha këto përbëjnë një ndihmë të suksesshme. Unë përsërisë përkushtimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Integrimit për bashkëpunim të plotë me JICA-n, pra ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe shpresoj që në të ardhmen të jetë edhe më i frytshëm”, u shpreh ai.

JICA sot ka shënuar 5-vjetorin e bashkëpunimit me Kosovën. Që nga fillimi i bashkëpunimit JICA ka qenë e angazhuar në asistenca të ndryshme teknike dhe financiare për popullin e Kosovës, me theks të veçantë në stabilizimin e infrastrukturës sociale dhe ekonomike.

Në fund të këtij seminari u tha se Japonia si një nga donatorët kryesor dhe JICA, si agjenci zbatuese për ndihmë, do të vazhdojnë për të ofruar bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, me vizionin “Zhvillim gjithëpërfshirës dhe dinamik” në Kosovë, si dhe rajonin e Ballkanit për t’i tejkaluar vështirësitë për rrugëtimin e për anëtarësim në Bashkimin Evropian.