Jan Braathu: Seanca e korrikut ishte një cirk - shpresoj të mos përsëritet!

Jan Braathu: Seanca e korrikut ishte një cirk – shpresoj të mos përsëritet!

 Jan Braathu: Seanca e korrikut ishte një cirk - shpresoj të mos përsëritet!Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, i ka thënë Radio Kosovës se deputetët kosovarë duhet të gjejnë një zgjidhje për ngërçin politik.

Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, shpreson që deputetët e Kuvendit të Kosovës e kuptojnë që duhet të gjendet një zgjidhje konstruktive në mënyrë që ngërçi politik në Kosovë të marrë fund. Nëse mbesin në pozitat fillestare, “frikësohem se të remtën nuk do të ketë zgjidhje“, ka shtuar ai.

Duke marrë shembull vendin prej nga vjen, ambasadori Braathu thekson se ne krye te parlamentit, apo edhe te qeverisë duhet të jete kandidati nga partia më e madhe, apo nga partia e dytë më e madhe, nëse e para nuk ka mjaft vota.

“Njerëzit duhet të kuptojnë që Kuvendi duhet të bëhet funksional dhe se Kuvendi është institucion. Kuvendi nuk është institucion i partive politike por institucion shtetëror, përgjegjësitë e të cilit janë mbi partitë politike. Shpresoj që një gjë të tillë ta shohim edhe këtu. Kur gjykata thotë se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje – kjo nënkupton pikërisht këtë. Jo partitë politike, por çdo përfaqësues i zgjedhur në Kuvend ka përgjegjësi individuale dhe të pavarur që të punojë në mënyrë konstruktive që Kuvendi të jetë funksional dhe në shërbim të shtetit“, tha Braathu.

“Qasja e PDK-së dhe bllokut opozitar ne pretendimet e tyre që të dyja e kanë të drejtën të kandidojnë Kryetarin e Kuvendit, paralajmëron mundësinë e vazhdimit të ngërçit politik në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se partitë politike duhet të jenë konstruktive në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë.

Ambasadori shton se zgjedhjet e reja duhet të jenë opsioni i fundit.

“Organizimi i zgjedhjeve të reja është i shtrenjtë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për vendet tjera, atyre të BE-së, që duhet të dërgojnë këtu ekipet monitoruese. Por, ajo që është më e rëndësishme është mundësia e ngritjes së tensioneve në vend. Nuk është fjala për tensione ndëretnike, por ndërmjet shqiptarëve të Kosovës. Pyetja që duhet të shtrohet është se ‘A e dëshirojnë këtë partitë dhe liderët e përgjegjshëm’. Por çka nëse zgjedhjet megjithatë mbahen dhe përsëri kemi ngërç politik? Çka kemi arritur? Asgjë, përveç mundësisë së ngritjes së tensioneve dhe shpenzimit të parave – 7 milionë nga buxheti edhe ashtu i pamjaftueshëm për nevojat e qytetarëve të Kosovës”, vlerësuar ambasadori Braathu.

Ai tha se shpreson se të gjitha palët do ta kuptojnë se është në interes të qytetarëve të Kosovës që partitë politike të gjejnë një zgjidhje.

“Mund të presim që dikush sërish t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kjo mund të zgjasë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Sinqerisht, seanca e korrikut ishte një cirk dhe shpresoj që të mos përsëritet më”, tha ai.

Ambasadori Braathu thotë se edhe Presidentja e vendit, sipas Kushtetutës, ka rol shumë të rëndësishëm, sidomos në këso rrethana.

“Gjatë këtij procesi, dhe në varësi të zhvillimeve të mëtutjeshme, Presidentja do të jetë faktor kyç në shtyrjen përpara të proceseve. Si do të bëjë ajo këtë, varet nga ajo”, vazhdoi ai.

Sa i përket qeverisë së re, ambasadori Braathu thotë se nga Kosova pritet një qeveri e cila është e aftë të qeverisë dhe e cila do të vazhdojë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet një dialogu konstruktiv me qeverinë e Republikës së Serbisë dhe që parimet dhe vlerat e Planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me komunitetet jo-shqiptare do të vazhdojnë të respektohen dhe implementohen.

“Këtë do t`ia themi kujtdo që do të jetë në krye të qeverisë. Bashkësia ndërkombëtare dhe Norvegjia ka kontribuuar shumë në këtë shtet. Këtë e kemi bërë në partneritet dhe presim që ky partneritet të vazhdojë. Por partneriteti do të thotë që disa gjëra duhet të bëhen dhe për këtë duhet të ketë mirëkuptim mes Qeverisë së Kosovës dhe partive politike kosovare. Jo pse ne po kërkojmë, por sepse ata duhet të kuptojnë që kjo është më së miri për ta, për të gjithë qytetarët dhe për shtetin e Kosovës“, shtoi ai.

Duke folur për marrëveshjen për bashkëqeverisje të bllokut opozitar me Lëvizjen Vetëvendosje, ambasadori norvegjez përkujton se kjo Lëvizje është kundër dialogut me Beogradin, por se kjo është e drejtë e tyre, e drejtë për të qenë kritik.

Por ai nënvizon se nuk ka vërejtur që Vetëvendosje ka provuar të jetë kritiko-konstruktive apo konstruktive në kritikat e veta.

“Qasja e tyre ndaj komuniteteve në Kosovë në thelb është kundërthënëse. Besoj se qasja e tyre ndaj komuniteteve është problematike. Kjo për shkak se duket se ata nuk pranojnë premisat bazike të Planit të Ahtisarit dhe disa nga pikat kyçe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për qytetarët jo-shqiptarë të Kosovës kjo është problematike. Problematike është edhe për miqtë e Kosovës, në mesin e të cilëve jam edhe unë, sepse të gjithë ne shqetësohemi për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij vendi. Ky është një vend multietnik dhe nëse ka konflikte ndëretnike, kjo nuk do të jetë në dobi të Kosovës. Nuk do të jetë në dobi të askujt dhe të gjithë do të jenë humbës“.

Ambasadori Braathu ka konfirmuar se kësaj radhe bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që të qëndrojë anash dhe të sillet siç do të vepronte në raport me secilin shtet të BE-së.

“Ju jeni shtet i pavarur. Keni thënë se dëshironi të jeni të pavarur. Ne ju kemi besuar. Kemi mbyllur zyrën civile ndërkombëtare, kemi bashkëpunuar me qeverinë dhe Kuvendin që kjo të arrihet. Tash keni pavarësinë dhe ju mbetet liderëve politik dhe institucioneve të Kosovës që të punojnë në këtë drejtim.
Mendoj se të gjithë miqtë e Kosovës kanë qëndrim të njëjtë. Nuk është se në hije jemi të angazhuar, po përcjellim situatën dhe shpresojmë se do të ketë qasje konstruktive dhe në harmoni me kushtetutën dhe ligjet. Si ndërkombëtarë, ne këtë nuk mund ta bëjmë për ju. Mund tu ndihmojmë, por në fund çdo gjë varet nga ju. Dhe kjo është arsyeja pse tash kemi marrë këtë pozicion. Po sillemi ashtu si do të silleshim në raport me ndonjë vend tjetër evropian“.

Duke folur për sfidat para autoriteteve të ardhshme, ai potencon formimin e gjykatës speciale për krime lufte.

“Kur të themelohet gjykata, do të ketë padi ndaj individëve dhe presim që ata individë të jenë të njohur për opinionin. Po, do të jetë një sfidë për politikën kosovare. Por më vjen mirë që Kuvendi i kaluar ka përkrahur themelimin e gjykatës. Nuk besoj se dikush në Kosovë dëshiron të mbrojë individët që kanë kryer krime. A kanë ndodhur krime apo jo kjo do të vërtetohet. Këto përpjekje nuk janë të drejtuara kundër UÇK-së, sepse pretendimet kryesore të cilat unë i kam parë kanë të bëjnë me periudhën qershor 1999 dhe qershor-korrik 2000. Kjo do të thotë pas luftës”, tha ai.

Duke komentuar arrestimet e fundit të individëve në Kosovë me dyshimin për pjesëmarrje në organizata terroriste, ambasadori norvegjez thekson se është shqetësues fakti që të rinjtë kosovarë po radikalizohen deri në atë masë sa janë të gatshëm që të kryejnë krime të tmerrshme në Siri dhe Irak.

Dhe se janë kërcënim që krime të ngjashme të kryejnë edhe në Kosovë dhe Evropë.

“Kjo është çështje e sigurisë të cilën duhet ta marrim shumë seriozisht. Kjo nuk ka ndodhur brenda natës por në këtë është punuar me vite. Disa nga ne që përcjellin situatën e kemi pritur që diçka e tillë do të ndodhë. Nuk është ende krejt vonë dhe jam i lumtur që disa hapa janë ndërmarrë, por nuk mjafton që vetëm të arrestohen njerëzit, por duhen fakte dhe procedura adekuate ligjore. Kështu që tash duhet të presim dhe shohim çka do të ndodhe dhe çka do të dalë nga e gjithë kjo“, theksoi Braathu. /rtk/