krasniqi

Jakup Krasniqi : Qeveritarët tanë sillen si `hardhucat`

krasniqiIsh-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka reaguar ndaj shpërnguljes së qytetarëve nga Kosova, duke thënë se para kësaj situate tepër të dhimbshme, qeveritarët tanë sillen si hardhucat.

Madje ai ka thënë se sjellje të tilla janë parë vetëm nga tiranët e egër, që njerëzit i trajtonin si milingona.

Ja postimi i plotë i Krasniqit në facebook:

Nga Kosova muajve të fundit dikush thotë se u shpërngulen 200.000 veta, tjetri thotë 150.000, ndonjë tjetër 100.000, ndonjë tjetër mund ti zbret edhe 50000. Në ketë moment, nuk dua të manipuloj me numra, po e zëmë, le të jenë edhe 5000 apo 10.000 qytetarë te Republikës se Kosovës që nuk kanë siguri ekonomike për të vazhduar jetën në Atdhe, do të duheshin të ishin shifra për alarm për drejtuesit e lartë te shtetit.

Po a janë dhe sa janë të shqetësuar krerët e koalicionit qeverisës, për këta qytetarë që po ikin legalisht e ligjërisht nga Kosova, para syve te të gjithëve?!

Duke i dëgjuar deklaratat e krerëve të koalicionit qeverisës të krijohet përshtypja se asgjë nuk është duke ndodhur me qytetarët e vendit, që ata të obligoheshin ta merrnin “mundin” që t’i qeverisin meritueshëm.

Ditë më parë vartësi i parë i Kryeministrit Mustafa, zoti Thaçi tha se : “përgjegjësia për ketë ikje është te bllokada politike apo ngërçi politik i shkaktuar nga LAN-i e më vonë VLAN-i”. Pse ai ka qenë bllokuesi kryesor, pse ai ka qeverisur për shtatë vjet më radhë, madje edhe në periudhën e ngërçit, pak ka rëndësi. Madje ai sikur harron se edhe aleati i tashëm politik, jo pak herë kishte shpjeguar arsyet pse nuk do të bënte koalicion me Thaçin. Pra, zëvendëskryeministri jo vetëm që nuk e ndien asnjë përgjegjësi për krizën morale që ka prodhuar qeverisja e tij shtatë vjeçare, por fajin ia hedhë opozitës?! Madje, shqetësues është edhe komunikim në mes deputetëve të koalicionit qeverisës?! Kjo po shihet në çdo mbledhje të Kuvendit, u pa edhe dje.

Ndërsa, Kryeministri Mustafa dje në Kuvendin e Kosovës, me një gjakftohtësi të frikshme për vdekjen e një fëmijë në Hungari, deklaroi: “Prindërit duhet ta marrin përgjegjësin për fëmijët e tyre”. Ndoshta ky deklarim edhe do të shkonte, sikur ajo familje te ishte e vetmja që ishte shtrënguar ta linte Kosovën për çështje shëndetësore. Për mua si një politikan i një gjenerate idealistësh, domosdo që ma kujton gjakftohtësinë e udhëheqësve komunistë serb e jugosllav të viteve të 80 e të 90-ta, të cilët jo vetëm nuk i dëgjonin kërkesat e shqiptarëve, por i akuzonin me gjithë far epitetesh.

Nga kjo ikje nga Kosova kanë rrjedh po e zëmë 100.000 veta, pra kanë ikur 1/17 e qytetarëve të vendit tonë. Cili do të ishte reagimi i cilësdo qeveri të vendeve të BE-së, nëse do ti ikshin 1/17 e qytetarëve të vendit? Si do të vihej para përgjegjësisë Presidenti Obama nëse do ta lëshonin SHBA-të 1/17 e amerikanëve? Unë jam i bindur se përgjegjësia e atyre qeveritarëve do të ishte sa morale e po aq edhe politike?! Para kësaj situate tepër të dhimbshme, qeveritarët tanë, sillen si hardhucat! Ne histori shfaqje të tilla janë parë të shpërfaqin vetëm nga Tiranët e egër, ata që njerëzit i trajtonin si milingona. Njerëzit kur humbasin ndjesinë dhe emocionet njerëzore, zakonisht janë tepër të rrezikshëm?!

Jam i bindur se në një situatë të tillë, i pakti qytetar i Kosovës do te dëshironte të ishte në lëkurën e krerëve të koalicionit qeverisës! Cilido qeveritarë i përgjegjshëm ne një situatë të ngjashme do të shfaqej me një përgjegjësi morale të një niveli tjetër!