Jakup Krasniqi: Politika të pastrohet nga krimi

Jakup Krasniqi: Politika të pastrohet nga krimi

Jakup Krasniqi konsideron se perspektiva e vendit nuk duhet të mbetet peng i mosluftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, apelon te sistemi i drejtësisë që ndjekjen e njerëzve ta bëjë mbi bazën e fakteve dhe dëshmive dhe jo mbi bazën e opinioneve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në një intervistë për Kohën Ditore nuk përton t’i përgjigjet ushtruesit të detyrës prokurorit të EULEX-it Johannes Van Vreesëijk, i cili para pak ditësh ka thënë se “presidenti, ndoshta është dashur ta emëronte atë prokuror”.

Ai jo vetëm se nuk i bën naze këtij profesioni, por e konsideron edhe si fat për vendin sikur prokuroria e shtetit ta kishte një njeri të guximshëm që do të merrte vendime të pavarura nga politika dhe do të luftonte çdo formë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Krasniqi është i bindur se arrestimi i “peshqve të mëdhenj” nuk do të destabilizonte vendin, por përkundrazi do ta hiqte një “hipotekë” që mund ta dëmtojë procesin e integrimit në BE.

Kreu i Kuvendit të Kosovës në një intervistë për Kohën Ditore duke folur rreth çështjes së bartjes së shamisë në shkolla thekson se duhet të dinë që Kosova është shtet laik. Ai thekson se drejta e fesë parashihet me Kushtetutë dhe askush se ka ndërmend ta ndalojë atë.

Mirëpo sipas tij shqiptarët janë një popull me kulturë dhe traditë të veçantë dhe ndryshojnë nga vendet e botës islame apo arabe.