Jakup Krasniqi: Edhe unë kam qenë për ndryshime

Jakup Krasniqi: Edhe unë kam qenë për ndryshime

Jakup Krasniqi: Edhe unë kam qenë për ndryshimeUnë kam qenë për ndryshime dhe konsideroj se me balotazh kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme sa i përket ndërrimit të akterëve të qeverisjes.

Kështu ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Krasniqi tha se qytetarët e Kosovës kanë dhënë një mesazh të qartë se janë për ndryshime dhe janë për mirëqeverisje.

“Ju e dini që unë kam qenë për ndryshime dhe konsideroj se në balotazh kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, sa i përket ndërrimit të akterëve të qeverisjes. Konsideroj që qytetarët e Kosovës, kanë dhënë një mesazh të qartë, se janë për ndryshime dhe janë për mirëqeverisje…

Ka diçka që kemi pritur, ka diçka që s’kemi pritur. Por e rëndësishme është se ndryshimet janë në interes të qytetarëve dhe kjo mendoj se është më e mira e mundshme, që ka mund të dal nga këto zgjedhje”, tha Krasniqi.

Se a do të reflektojnë këto zgjedhje edhe në zgjedhjet nacionale, Krasniqi tha se e tëra kjo vetvetiu është reflektim pozitiv në zhvillimet politike që do të ndodhin në Kosovë dhe për Kosovën.

Adem Grabovci tha se Partia Demokratike e Kosovës, ndihet mirë me rezultatet e dala nga këto zgjedhje, pasi është partia e parë në nivel vendi. Pozitive sipas tij ka qenë mesazhi që është përçuar, që institucionet janë të përgatitura për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Megjithatë pranon se kanë pritur rezultate më të mira.

“Ne kemi pritur, ç’është e vërteta, rezultat më të mirë. Por megjithatë rezultati është ky që është dhe ne përshëndesim vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Në vazhdimësi do të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe do të angazhohemi, që vërtet të rrisim aktivitetin tonë dhe të përgatitemi dhe më fuqishëm për zgjedhjet e ardhshme”, tha Grabovci.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka veçuar fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, duke thënë se ajo është fitore për qytetarët e kryeqendrës.

Ai tha se populli i Kosovës e ndëshkoi një qeverisje të korruptuar, për t’i dhënë një lëvizje dinamike rrjedhave, që sipas tij i përmban programi i VV-së gjithnjë në të mirën e qytetarëve.

“Kemi dal bindshëm fitues në këtë garë zgjedhore. Konsiderojmë se kjo është një fitore shumë e rëndësishme jo për Vetëvendosjen por për qytetarët e Prishtinës dhe popullin e Kosovës në përgjithësi. Për shkak se është hera e parë që qytetarët e Kosovës vendosin përmes votës, për ta ndëshkuar një keqqeverisje, një qeverisje të korruptuar. Dhe është hera e parë, ku qytetarët e Republikës së Kosovës, vendosin për t’ia dhënë detyrën e qeverisjes, një personi apo një lëvizje dhe një programi, i cili është program për qytetarët dhe të mirën e përgjithshme. Program i cili garanton barazi të qytetarëve dhe qeverisje bashkë me qytetarët, gjë që nuk kemi pasur rastin ta shohim deri tani në Kosovë”, theksoi Ymeri.

Ndërsa, Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se humbja në disa komuna për pak vota, nuk është aspak e lehtë. Megjithatë AAK sipas tij, do të reflektojë dhe të punojë në të ardhmen.

“Për zgjedhjet, kur humbet kandidati për kryetar komune, për pak vota, nuk është lehtë. Kemi një diskrepancë të madhe mes votës popullore dhe numrit të asamblistëve, me numrin e komunave që i udhëheqim tani. Na mbetet që të reflektojmë dhe të punojmë“, tha ai.

Ndërkaq Myzejene Selmanaj, nga Aleanca Kosova e Re tha se më e këto zgjedhje fitoi Kosova dhe jo subjektet politike.

“Me këto zgjedhje fitoi Kosova. Nuk fituan subjektet politike, por në këtë rast fitoi Kosova. Për arsye se u mbajt një proces zgjedhor demokratik, pa probleme dhe iu tregua edhe vendeve të BE-së dhe miqve tanë ndërkombëtare, se Kosova di të punoj në mënyrë demokratike dhe të lë në vullnetin e qytetarëve, që të tregojnë se kënd duan që për katër vite të ardhshme t’i udhëheq”, tha ajo.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit, ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës të mbahet të enjten me 5 dhjetor.