10-nemuzik4

Italia sjell në Kosovë mjuzikllin “Madre Teresa”

Megjithëse viti i kaluar i është dedikuar shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, humanistja e madhe shqiptare do të përkujtohet edhe një herë.

Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës është përzgjedhur të jetë nikoqire e shfaqjes muzikore “Madre Teresa”, e cila është realizuar nga kompania italiane “Madre Teresa Il Musical”.

Aktorë italianë Rosa Lembo, Michelle Pulicelli, Roberto Bertoletti, Rossana Rossi, Barbara Sciorilli do të bëhen bashkë për të prezantuar për publikun kosovar rrëfimin për jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Është regjisori Piero Castellaci ai që bashkë me koreografin Michele Paulicelli ka realizuar mjuziklin “Madre Teresa”.

Jeton Neziraj, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka konfirmuar se mjuziklli kushtuar Nënës Terezë do të jepet si shfaqje mysafire më 21 të këtij muaji. “Shfaqja vjen në Kosovë e mbështetur nga Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare. Ne nuk e kemi parë shfaqjen, por duke qenë në dijeni për ekipin dhe dedikimin që ka, kemi konsideruar se është e rëndësishme të prezantohet në Kosovë”, ka thënë Neziraj.

Sipas tij, përveç përmbajtjes, “Madre Teresa” për publikun kosovar është e rëndësishme edhe për një tjetër arsye. “Përveç temës që trajton, është një element i rëndësishëm që kjo është një shfaqje muzikore dhe kjo e bën të duket atraktive për ne. Thjesht jemi kuriozë, sepse shfaqjet muzikore si zhanër skenik janë të rralla te ne”, ka shtuar Neziraj.

Sipas tij, TKK-ja do të vazhdojë të sjellë trupa teatrale nga vendet e tjera.
“Një prej prioriteteve tona në vazhdimësi mbetet sjellja në Kosovë e trupave teatrore të huaja. Natyrisht, ky synim yni shpesh ndeshet me kufizimet buxhetore dhe ne nuk i kemi duart e lira të konceptojmë programin e shfaqjeve mysafire ashtu siç do të duhej”, ka thënë Neziraj.