f1_14-iqesore-sp1352880338

Itali – Francë, kryendeshja e miqësoreve

Çfarëdo ndeshjeje ndërmjet Përfaqësueses së Italisë dhe asaj të Francës ka një “shije të veçantë”, ka thënë kapiteni i “azzurëve”, Gianluigi Buffon, në prag të duelit miqësor. Italia dhe Franca do të ndeshen të mërkurën (20:45) në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës.

“Franca mbetet një shtet i fortë në futbollin e Evropës dhe është një ekip që gjithmonë është në gjendje të luajë futboll të nivelit më të lartë”, tha Buffon. “Të luash kundër Francës është sikur të luash në një derbi të vërtetë”.

Finalistja e mposhtur e “Euro 2012” Italia, me gjithë fitoret në kampanjën kualifikuese për Botërorin “Brazili 2014” ndaj Maltës, Armenisë e Danimarkës, nuk ka impresionuar me lojë.

Ekipit të seleksionuesit Cesare Prandelli për këtë ndeshje do t’i mungojë Daniele de Rossi, i cili u la jashtë ekipit për shkak se e qëlloi me shuplakë Stefano Maurin në derbin mes Lazios dhe Romës, të zhvilluar fundjavën e shkuar. De Rossin pritet ta zëvendësojë Emanuele Giaccherini, i cili do të luajë përkrah bashkëlojtarëve të Juventusit, Claudio Marchisio e Andrea Pirlo. Mesfusha do të përbëhet edhe nga Riccardo Montolivo i Milanit.