ISHP: S’kemi asnjë rast me gripin e rrezikshëm amerikan

ISHP: S’kemi asnjë rast me gripin e rrezikshëm amerikan

ISHP: S’kemi asnjë rast me gripin e rrezikshëm amerikanDrejtori Enver Roshi: “Kujdes fundin e janarit, do shtohen të prekurit nga virozat”Në Shqipëri nuk ka asnjë të prekur nga virusi AH3N3.

Prej tij kanë humbur jetën, vetëm javën e fundit, të paktën 100 persona në SHBA. Epidemia që ka përfshirë këtë vend, ka detyruar qindra-mijëra veta të rrinë në shtrat për të paktën dy javë me komplikacione të rënda.

Nisur nga alarmi i OBSH-së, strukturat tona shëndetësore bënë dje analizën e fundit epidemiologjike. Sipas tyre, deri tani situata është nën kontroll, por vendi nuk i ka shpëtuar riskut për t’u prekur nga ndonjë epidemi e mundshme gripi ditët në vijim.

Rastet
“Javën e kaluar janë raportuar 9800 raste me grip, ose 20 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Java e dytë dhe fundi i muajit janar pritet të njohin një rritje të rasteve me grip”, tha Roshi. Pragu i epidemisë është kur brenda një jave evidentohen 15 mijë të prekur. Ndërsa sa i takon virusit AH3N3, Roshi shtoi se përveç Shqipërisë, deri tani është “i pastër” i gjithë rajoni. Nuk ka asnjë rast të raportuar nga strukturat shëndetësore me virusin “amerikan”. “Infeksionet respiratore dhe virozat e stinës në Shqipëri paraqesin aktivitet të ulët. Aktualisht numri i këtyre infeksioneve ka pësuar një rritje të lehtë, të pritshme për stinën, që vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe jemi shumë larg pragut epidemik”, tha Roshi. Sipas tij, numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, gjithashtu dhe numri i diarreve pa gjak, është më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. “Në bazë të vlerësimit të EuroFlu, vendi ynë, si shumë vende të tjera të rajonit europian, paraqet aktivitet të ulët të infeksioneve respiratore, përfshi dhe gripin”, tha Roshi.

Rastet e rënda
Sipas të dhënave të ISHP-së, javën e fundit ka pasur 4 raste të moshës pediatrike me insuficiencë respiratore të rëndë, por që nuk kanë rezultuar grip. “Në bazë të ekzaminimit të një sërë mostrash nga Tirana, Durrësi, Vlora, nuk kemi izoluar ende virusin e gripit në vend, që tregon se kemi qarkullim të ulët të këtij virusi”, tha Roshi. Ai theksoi se mbështetur në të dhënat e viteve të mëparshme, pa marrë parasysh atë të pandemisë, qarkullimi i viruseve të gripit në vendin tonë pritet të rritet në fund të janarit, rritje kjo që vazhdon deri në muajin mars. Aktualisht qarkullimi i gripit edhe në vendet përreth nuk ka pasur ndryshime të theksuara. Vetëm disa shtete kanë kaluar nga niveli i ulët në atë të moderuar të qarkullimit të gripit, por nuk kemi shfaqje epidemike si në SHBA.
Simptomat
. Dhimbje koke e vazhdueshme
. Dhimbje muskujsh
. Mungesë ose humbje e oreksit
. Dhimbje dhe acarim i fytit
. Temperaturë e lartë deri në 39 gradë
. Vështirësi në rrugët e frymëmarrjes
. Kollë e thatë dhe e vazhdueshme
Këshillat
. Të mos konsumohet ujë i ftohtë
. Lëngjet të konsumohen me temperaturë ambienti
. Veshje në bazë të temperaturës së ajrit
. Konsum të lëngjeve
. Këshillohet lëngu i portokallit
. Përdorimi i frutave me vitaminë C
. Bërja e vaksinës antigrip te fëmijët dhe të moshuarit
/panorama/