Isa Mustafa tregon vendimin që do ta shpall sot

Isa Mustafa tregon vendimin që do ta shpall sot

Isa Mustafa tregon vendimin që do ta shpall sotLideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa I ëhstë drejtuar anëtarëve të partisë që udhëheq duke thënë se sot do të merret vendimi në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nga kriteret e Presidentes së vendit dhe miqëtë ndërkombëtar, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë.

Mustafa ka shkruar në Facebook duke thënë se LDK-ja do të ofrojë një rol prijës në këtë proces për qeverisjen e vendit dhe me mundëis partneriteti me të gjithë ata që janë të vendosur për ndërtimin e shtetit.

Më poshtë lexoni postimin e plotë të Isa Mustafës:

Anëtarë të nderuar të LDK-së,

Sot mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën do të vendosim të krijojmë mundësitë që, në harmoni me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të kritereve të deklaruara nga Presidentja e vendit dhe miqtë tanë ndërkombëtar, ta konstituojmë sa më shpejtë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të zgjedhim Qeverinë.

Në këtë proces Lidhja Demokratike e Kosovës ka një rol vendimtar. Këtë rol ne do ta realizojmë me marrje të përgjegjësisë, me sjellje të përgjegjshme dhe demokratike brenda forumit më të lartë të LDK-së, duke pasur parasysh situatën shumë të rëndë në të cilën po kalon Kosova, përkrahjen që e kemi nga Partitë Popullore Evropiane, në familjen e të cilave tani jemi, si dhe partneritetin, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, të cilat kanë dhënë kontribut historik në çlirimin e vendit tonë dhe në ndërtimin e tij demokratik.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot do të ofrojë rolin e saj prijës në këtë proces dhe në qeverisjen e vendit, me mundësi të partneritetit me të gjithë ata që janë të vendosur për ndërtimin e shtetit ligjor, për zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. LDK, si gjithherë në situate të tilla, do të vej interesin e vendit në plan të parë dhe do të reflektojë fuqinë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në ndërtimin dhe drejtimin e institucioneve të vendit.

LDK është vetëdijshme për klimën politike brenda anëtarësisë dhe strukturave të saj dhe për shumë vërejtje për qeverisjen e deritanishme të vendit. Ne shprehim përkushtimin tonë për një qeverisje të mirë. I mbetemi besnik parimit se uniteti dhe vlerat e LDK-së, kur janë në pyetje interesat madhore të vendit, vazhdojnë të shprehen si sinteze e një kulture demokratike të krijuar për shumë vite e jo të zërave të cilat kanë logjikë të interesave lokale apo promovimeve personale.

LDK respekton dhe vlerëson lart partnerët e koalicionit paszgjedhor dhe mbetet e përkushtuar që në harmoni me rrethanat e reja të krijuara dhe kriteret për mandatimin e institucioneve të vendit të gjejë zgjidhje e cila është në interes të këtij partneriteti por edhe zgjidhje të cilat hapin mundësi reale për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.

Qasja jonë do të jetë pozitive dhe konstruktive ndaj gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë me ne për të përballuar shumë probleme me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë dhe për të krijuar e forcuar ura bashkëpunimi e integrimi në Bashkimin Evropian.