Isa Mustafa sot rrëfehet para deputetëve

Isa MustafaSot mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku pritet që para deputetëve të raportojë kryeministri Isa Mustafa.
Ai do të raportojë për marrëveshjen për çështjen e drejtësisë e nënshkruar me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq të martën në Bruksel.

Sipas kësaj marrëveshje pjesa dërmuese e rasteve në Gjykatën Themelore ndahen nga një gjyqtar në përputhje me ligjet e Kosovës, sipas të cilës kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, do të jetë serb i Kosovës nga Veriu i Kosovës, ndërsa Kryeprokurori në Zyrën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të jetë shqiptar.

Sipas marrëveshjes, Gjykata Themelore në Mitrovicën e veriut do të përbëhet: Nga divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë i cili do të përbëhet nga 5 serbë të Kosovës dhe 2 gjyqtarë shqiptar.

Ndërsa, departamenti i krimeve të rënda për tërë rajonin e Mitrovicës do të përbëhet nga katër serbë të Kosovës dhe 4 gjyqtarë shqiptarë, pjesë të departamentit të përgjithshëm përfshirë rastet kriminale./Indeksonline/