Isa Mustafa premton liberalizim vizash brenda një viti

Isa Mustafa premton liberalizim vizash brenda një viti

Isa Mustafa premton liberalizim vizash brenda një vitiKryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati i saj për kryeministër, Isa Mustafa, ka theksuar të martën gjatë një tryeze për rend, siguri dhe politikë të jashtme, se qeveria të cilën ai do ta drejtojë pas 8 qershorit, do ta çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin, do ta forcojë shtetin ligjor dhe në koordinim me partnerët strategjik do t’i hapë rrugën integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Mustafa ka theksuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe luftimi i dukurive negative është parakusht për hapjen e perspektivës integruese të shtetit. “Krimin e korrupsionin nuk mund ta luftojnë ata për të cilët NATO, në dosjet e tyre, sipas gazetës ‘Koha Ditore’, kishte konstatuar se ishin organizatorë të krimit të organizuar”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, qytetarët e Kosovës, më 8 qershor, do t’u japim përgjigjen e merituar atyre që me çdo kusht po mundohen t’i fitojnë zgjedhjet, me qëllimin që t’i shpëtojnë përgjegjësive për dëmet që i kanë shkaktuar vendit.

“LDK, në programin qeverisës ka objektiva të qarta për forcimin e shtetit, sigurimin e pavarësisë së pushteteve dhe ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe të pandikuara nga politika. Ne jemi të bindur se me reformat që do të ndërmarrim, do të arrijmë që brenda vitit të parë të mandatit tonë të parë do të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave, brenda mandatit të parë do ta nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian si dhe do të jemi pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Forcat tona të armatosura do të jenë pjesë e misioneve paqeruajtëse të NATO-s”, ka thënë Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se qeverisja e LDK-së, në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Ametrikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, do të arrijë ta shfuqizojë Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe t’i hapë rrugën rrumbullakësimit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të tij në institucionmet rajonale e ndërkombëtare.

Dialogun me Serbinë, Mustafa ka thënë se qeveria e re do ta kornizojë në kohë, duke vendosur edhe parimet prijëse për ruajtjen e karakterit unitar, një zone të vetme doganore, legjislative, gjyqësore e kushtetuese.

Mustafa ka theksuar se qeverisja e LDK-së, prioritet do t’i kushtojë bashkëpunimit me Shqipërinë, përmes një politike të koordinuar për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike.

Por, parakusht kryesor për realizimin e këtyre objektivave, përfshirë edhe hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik të vendit, Mustafa theksoi se është sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë.
Qeveria në largim, sipas Mustafës, ka bërë një dëm të madh në këtë aspekt, duke kapur shtetin dhe duke e trajtuar atë si instrument për realizimin e interesave të një grupi të caktual njerëzish.

“Kosova po përjeton telashe nga krimi e korrupsioni. Ka interferim të madh të politikës në gjyqësor. Vetëm EULEX është marrë me njerëzit në pushtet. Nga institucionet e drejtësisë të ndikuara nga qeveria në largim, janë burgosur, me dosje të sajuara, vetëm njerëzit e opozitës.

Këto institucione janë trajtuar nga qeveria në largim si instrument në shërbim të oligarkisë së tyre dhe të bizneseve të tyre”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, mjafton të analizohet vetëm hyrja e mallrave pa doganë nga veriu. “Ky mall ka përfunduar në jug të Kosovës, në duart e rrjetit kriminal shqiptaro-serb, nga të cilët kanë përfituar njerëzit e kësaj qeverie në largim”, ka thënë Mustafa.

Por, kryetari Mustafa, ka theksuar se kjo gjendje do të ndryshojë pas 8 qershorit, kur qeverisjen, qytetarët e Kosovës do t’ia besojnë LDK-së. “Ne do ta vendosim rendin dhe do të jemi më të fortë se ata që me çdo kusht po duan të shpëtojnë nga përgjegjësia për dëmet që i kanë shkaktuar shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se qeveria e ardhshme e Kosovës, duke forcuar rendin e ligjin dhe duke garantuar pavarësinë e gjyqësorit, do të mundësojë vendosjen e drejtësisë në Kosovë.

Ai ka theksuar se qeverisja e ardhshme e Kosovës, e drejtuar nga LDK, do të jetë e përkushtuar për ta orientuar Kosovën kah Evropa dhe miqësia e përhershme me SHBA, sepse ky është orientim natyror i qytetarëve të Kosovës.

Skender Hyyseni, ish-ministër i jashtëm, ndërkaq ka theksuar se qeveria e ardhshme e Kosovës do të ketë plan strategjik veprimi në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe vendosjen e partneritetit strategjik për arritjen e qëllimeve.

“Një prej qëllimeve kryesore të qeverisjes së ardhshme do të jetë konsolidimi i shtetit dhe integrimi i plotë i tij. Kjo qeveri e ka fuqizuar Rezolutën 1244 duke pranuar fusnotën, por me qeverisjen e LDK-së, do të punohet fort dhe do të arrihet shfuqizimi i kësaj rezolute, në mënyrë që vendit t’i hapet perspektiva integruese dhe anëtarësimi në institucionet rajonale e ndërkombëtare, si subjekt i veçantë”, ka thënë Hyseni.

Kandidatja për deputete, Vjosa Osmani, ndërkaq ka theksuar se qeverisja e LDK-së garanton përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe kthimin e disponimit që kishte bota ndaj Kosovës në kohën kur LDK, në krye me Presidentin Rugova, Kosovës ia kishte hapur të gjitha dyert e Evropës dhe SHBA-së.

“Gjatë qeverisjes së LDK-së, të burgosurit nuk do të mund ta negociojnë drejtësinë. Shërbimet shëndetësore do të ofrohen në burg, e jo burgu në spital, nuk do të ndodhin skandale si Dhomat e dëshmive e skandali i korrupsionit me pasaporta, shpërbimi diplomatik nuk do të jetë strehë i militantizmit partiak”, ka thënë Osmani.