Interkoneksioni me Kosovën

Interkoneksioni me Kosovën

Interkoneksioni me KosovënLinja e interkoneksionit 400 kv mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ndërtohet me dy lote. Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në një njoftim zyrtar, ka sqaruar procedurat për ndërtimin e kësaj vepre si edhe të dhënat teknike.

Loti i parë përfshin ndërtimin e linjës 400 kv me një gjatësi prej 241.5 km, mes nënstacionit Kosova B dhe nënstacionit të dytë të Tiranës zonën e Kasharit, por që nga përmasat është më i madhi në vend. Loti i dytë parashikon ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto dy nënstacione.

Në pjesën kosovare punimet do të kryhen nga kompania kroate “Dalevokod”, ndërsa në krahun shqiptar do të jetë kompania boshnjake “Energoinvest” që do të ndërtojë linjën e interkoneksionit.

Tenderi i parë për ndërtimin e kësaj linje u zhvillua në fillim të vitit 2011, por procedura e tenderimit u anulua në muajin Tetor të një viti më pas për shkak se, qeveria pretendoi se, kompania fituese kishte ofruar një çmim 24% më të lartë se kompania që ishte renditur e dyta. Vlen të theksohet se, si po në atë rast edhe kësaj here ishin po këto dy kompani që kishin garuar mes tyre, por tenderi ishte fituar nga kompania kroate. Vepra financohet nga banka KfW, e cila zhvilloi tenderin e dytë në Frankfurt të Gjermanisë gjatë muajve të verës të vitit 2013.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit teknik dhe ofertave financiare të gjashtë kompanive që morën pjesë në garë, boshnjakët e “Energoinvest” janë shpallur fitues për ndërtimin e linjës në territorin shqiptar.

Vlera e punimeve në Shqipëri pritet të arrijë në 70 milionë euro dhe zvarritja në kohë e ndërtimit të kësaj linje ka penalizuar sistemin energjetik të dy vendeve duke rritur ndjeshëm varësinë ndaj linjave serbe të transmetimit. Aktualisht, Shqipëria arrin të depozitojë deri në 3 milionë kilovatorë në ditë në Kosovë dhe shkëmbimet nuk janë të larta për shkak të mungesës së kapaciteteve.