arben-malaj1

Imuniteti, Malaj: PS të votojë më 6 gusht

Deputeti socialist, Arben Malaj ka deklaruar se PS duhet ta votojë heqjen e imunitetit më 6 gusht.

Në një intervistë televizive, Malaj u shpreh se nuk ka nguruar që publikisht të thotë se duhet ta votojnë më 6 gusht heqjen e imunitetit.

“Pra ngjarjet historike nuk presin mirëkuptimet tona, ose reforma të plota”, ka deklaruar Malaj, njofton BalkanWeb.

“Sigurisht që Kushtetua e vendit ka nevojë të rishikohet, sigurisht që ekuilibri i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve është prishur… Unë them që koha në politikë është shumë e rëndësishme. Kështu që në këtë aspekt, për faktin se ndodhemi përballë një mundësie, një testimi për të marrë statusin e vendit kandidat pas dy dështimeve të njëpasnjëshme, personalisht, pavarësisht se sot mund të ketë shumë skeptikë për çfarë ndodh në Bashkimin Evropian, jam një mbështetës i hapur dhe i fortë që vendi duhet të mos ketë asnjë çoroditje, asnjë hezitim dhe asnjë vonesë në hapat integrues, qoftë për analizën historike të vendit, qoftë edhe për atë që inspiron dhe mbështet Bashkimi Evropian, e ardhmja jonë duhet të jetë brenda BE-së dhe për këtë nuk duhet të vonohemi në asnjë rast”, nënvizoi Malaj.

Sipas tij “nëse ka mbetur thjeshtë dhe vetëm imuniteti, kjo e bën dhjetë herë të detyrueshme që të miratohet në datën e caktuar”. Por, shtoi Malaj, “në qoftë se, dhe këtu është edhe debati që bëjmë me PD-në, vendi ka mbetur jashtë dyerve të BE-së jo për faj të opozitës, po për dështime të mazhorancës, ne mund të jemi vendi i fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor për kohën që kemi humbur nga momenti që kemi dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtar, sepse nuk ka kërkesë për kandidat dhe mosmarrjen e statusit të vendit kandidat”.