Imazhimi i kokës me rezonancë magnetike

Imazhimi i kokës me rezonancë magnetike

Në imazhin e kokës, kjo teknikë është dëshmuar shumë e vlefshme për radiologët në diagnostikimin e proceseve patologjike në tru, sy dhe veshin e brendshëm.

Cilat janë arsyet më të shpeshta pse kërkohet imazhimi i kokës me RM?
IRM është teknika imazhuese më e ndjeshme për tumoret në tru, inzultet, proceset kronike (si skleroza multiple), abnormalitetet tjera në tru me cipat e saja, sy dhe veshin e brendshëm.

Cilat duhet të jenë përgatitjet e pacientit për realizimin e IRM?
Praktikisht pacienti nuk duhet të bëjë ndonjë përgatitje të veçantë për IRM. Për shkak të vetive fizike të IRM duhet pasur parasysh si vijon. Pasi që IRM punohet në fushë shumë të fortë magnetike ajo është në gjendje për të tërhequr çdo objekt metalik të implantuar (vendosur) në trup (nyjat artificiale, pacemaker i zemrës ose valvulat artificiale të zemrës, pllaka dhe vidha metalike, mjetet intrauterine, kapëset kirurgjike – të cilat nuk janë nga titaniumi. Tatuazhet dhe ngjyrat e përhershme kozmetike në sy mund të shkaktojnë arterakte (pengesa në krijimin pjese të imazhit).

Për të qenë të sigurt se nuk ka trupa të huaj metalik në trup si rezultat i lëndimeve apo shpërthimeve eksplozive të përjetuara, punohet radiogrami i asaj pjese të trupit për të vërtetuar ose përjashtuar praninë e trupit të huaj. Protezat e dhëmbëve duhen larguar para incizimit derisa mbushjet e dhëmbëve zakonisht nuk japin artefakte, por në disa raste edhe ato mund të japin artefakte gjatë imazhimit të kokës. Radiologu nga pacienti kërkon të largojë të gjitha mjetet metalike që mund t’i ketë (pacienti është vetëm me ndërresa të brendshme dhe mantilin që ja jep tekniku): mbajtëset metalike të flokëve, bizhuteri ose ari, gji-mbajtëset, syzet, ndërresat e brendshme me pulla, ndihmëset për dëgjim, protezat e lëvizshme.

Radiologu ose tekniku duhet të pyes pacientin për alergjitë ndaj barërave dhe ushqimit, procedurave kirurgjike nëse ka i bërë ato, si dhe radiologjike intervente terapeutike (stentime) në të kaluarën. Shtatzënia duhet evidentuar po ashtu. Shpesh ndodhë që pacientët të jenë klaustrofobik (nuk mund të qëndrojnë në hapësirë të vogël të mbyllur) dhe atyre shpesh duhet dhënë qetësues të lehtë një orë para fillimit të procedurës.

Aparatura e RM

Aparati konvencional i RM është në formë të një cilindri magnetik të mbyllur brenda së cilës pacienti duhet patjetër të qëndrojë i palëvizshëm gjatë imazhimit. Ekzistojnë aparate të reja magnetike “user friendly – miqësore ndaj shfrytëzuesit”. Sot ekzistojnë aparate të fuqishme të cilat japin detaje shumë të imëta të parenkimës trunore.

Vetitë fizike dhe realizimi i procedurës së IRM

IRM është metodë unike e imazhimit e cila për dallim prej rëntgen imazhimit klasik dhe me tomografi të kompjuerizuar (TK), imazhimit me radioizotope në përfitimin e imazheve nuk përdor rrezet jonizuese të dëmshme për shëndet. Në vend të rrezeve jonizuese përdoren radio valët të cilat u drejtohen protoneve (pjesë përbërëse e bërthamës së atomit) të hidrogjenit përbrenda fushës së fortë magnetike. Protonet së pari eksitohen (ngrihen në nivel më të lartë energjetik) dhe pastaj ato vetë vetiu relaksohen (lirojnë energjinë e tepërt) me ç’rast emitojnë valë të cilat regjistrohen dhe përpunohen në mënyrë kompjuterike për të përfituar prej tyre imazhin e pjesës së trupit që kontrollohet.

Përbrenda trupit, protonet janë kryesisht të lidhura përbrenda atomeve të hidrogjenit si pjesë e molekulës së ujit dhe përmbajtja e saj në pjesë të ndryshme të trupit paraqet diferencën e përmbajtjes së ujit në pjesë të ndryshme të trupit. Kjo mundëson imazhe me kontrast të lartë mes indeve të ndryshme si dhe të vet organit /indit të njëjtë si p.sh. shumë mirë diferencohet substanca e bardhë dhe ajo ngjyrë hiri në indin trunor. Zakonisht IRM realizohet përmes përdorimit të së paku dy e më shumë sekuencave në rrafshe të ndryshme dhe secila zgjatë nga 50 sekonda deri pesëmbëdhjetë minuta. Secila sekuencë përfiton shkallë të caktuar të kontrastit mes parenkimës së imazhuar dhe mund të punohet në rrafshe të ndryshme (nga djathtas kah majtas – sagjitale, nga përpara në drejtim prapa – frontale, nga lartë poshtë – transverzale).

Pacienti shtrihet në tavolinën shtrat që është e lëvizshme dhe radio antena me spirale sipërfaqësore me formë të “helmetës” vendoset pranë kokës. Pas vendosjes së pacientit përbrenda aparatit (gentri), radiologu dhe tekniku e lëshojnë dhomën dhe nga tabela komanduese realizojnë sekuencat e kërkuara. Pacienti është në gjendje të komunikojë me radiologun dhe teknikun përmes interfonit gjatë tërë kohës së realizimit të procedurës. Shpesh lejohet që gjatë imazhimit të fëmijës apo të të afërmit tjetër në prani të pacientit të qëndrojë edhe familjari i afërm. Varësisht nga kërkesat e kontrollimit që bëhet, punohen edhe numër i caktuar i sekuencave që imponon edhe kohëzgjatjen e vet procedurës 15 deri 45 minuta.

Nga pacienti kërkohet të mos lëvizë gjatë procedurës për të parandaluar dështimin e vet procedurës. Tek disa pacientë do të nevojitet injektimi intravenoz i mjetit të kontrastit me dorë ose përmes injektorit me qëllim të theksimit të vizualizimit më të mirë të indeve të caktuara ose të enëve të gjakut. Ky mjet i kontrastit jepet përmes një gjilpëre të vogël e cila vendoset në ndonjërën nga venat e dorës. Pas përfundimit të imazhimit nga pacienti kërkohet të mbetet i qetë edhe disa qaste për të kontrolluar imazhet e fituara në rast se nevojitet për tu përsëritur ose shtuar ndonjë sekuencë.

Çfarë përjeton pacienti gjatë realizimit të IRM të kokës?
Gjatë IRM pacienti nuk ka dhimbje, por tek disa pacient shkaktohen ndjenjë e klaustrofobisë si pasojë e qëndrimit në hapësirë të mbyllur. Ndonjëherë pacienti mund të ndjejë ndjenjë të ngrohtësisë në pjesën e cila imazhohet që është normale. Por. nëse kjo paraqitet si pengesë duhet informuar radiologun ose teknikun. Nëse përdoret mjeti i kontrastit, pacienti mund të ketë një ndjenjë diskomfori në vendin e injektimit të mjetit dhe mund të ndiejë të ftoftë gjatë injektimit. Ajo që më së shumti i shqetëson pacientët, janë tingujt e zëshëm që aparati i krijon gjatë punës së saj në faza të caktuara të punës. Tapat për vesh mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

Kush i interpreton rezultatet e IRM?
Radiologu, specialist i lëmive imazhuese, pas analizimit të imazheve, të gjeturat me përshkrim dhe interpretim ja dërgon mjekut ordinues të pacientit (ose ja jep vetë pacientit).
Cilat janë përfitimet përkundër rrezikut nga realizimi i IRM?

Përfitimet
• Është metodë imazhuese që nuk përdor rreze jonizuese.
• Imazhet e fituara të trurit dhe strukturave tjera të kokës me RM janë më të qarta se me metodat tjera imazhuese.
• Mjeti i kontrastit që përdoret gjatë IRM nuk shkakton reaksione alergjike krahasuar me kontrastet e punuara në bazë të përmbajtjes së jodit që përdoren në radiologjinë klasike dhe me TK.
• IRM mundëson detektimin e abnormaliteteve, vizualizimi i të cilave nuk është i mundur me metodat tjera imazhuese, për shkak të pranisë së kockave të kokës të cilat krijojnë artefakte.
• IRM mundëson edhe punimin e angjiografisë (vizualizimi i enëve të gjakut përbrenda trupit) me RM (ARM), mundëson vizualizimin e enëve të gjakut të trurit pa përdorim të mjetit të kontrastit. Edhe në rast të përdorimit të mjetit të kontrastit për ARM rreziku për reaksione alergjike është jashtëzakonisht i ulët dhe dëmtimi i veshkave nuk haset.
• Sistemet e reja të IRM mundësojnë vizualizimin e funksionit të trurit, dhe mund të detektojnë inzultet iskemike (infarktin – ndërprerjen e qarkullimit të gjakut në tru) në fazat e hershme, më herët se çdo teknikë tjetër imazhuese.

Rreziqet
• Trupi i huaj metalik në trup, i pa detektuar më parë, mund të shkaktojë lëndime për shkak të fushës së fortë magnetike.
• IRM në princip nuk bëhet tek shtatzënat në 12 javët e para. Mjekët përdorin mjete tjera imazhuese për këtë periudhë (ultratingullin) përveç nëse ekziston indikacion i fortë mjekësor për ta bërë atë.

Kufizimet e IRM të kokës
Në teknikat tjera imazhuese strukturat kockore imazhohen më mirë – me radiograme konvencionale dhe me TK (pjesa minerale e kockës derisa proceset patologjike vizualizohen më mirë me IRM). TK po ashtu përdoret si teknikë e parë në rastet me gjakderdhje edhe pse sistemet e reja për IRM kanë sekuenca shumë sensitive në gjak. Trauma akute nuk praktikohet të imazhohet me RM për shkak të kohëzgjatjes së procedurës dhe pamundësisë që pacienti të qëndrojë i qetë.

IRM ndonjëherë nuk detekton përmbajtjen e kalciumit të pranishëm në indin tumoroz. Në raste të shumta, IRM është procedurë e sigurt tek pacientët me implantate (titaniumi tolerohet), por ka disa përjashtime dhe për këtë shkak pacienti duhet informuar radiologun dhe teknikun. IRM duhet të përdoret me kujdes tek gratë shtatzëna. Praktikisht, IRM kushton më shumë se imazhimi me TK. /Telegrafi/