Iker Casillas: Duhet t’i tregoj Mourinhos se ka gabuar

Iker Casillas: Duhet t’i tregoj Mourinhos se ka gabuar

Iker Casillas: Duhet t’i tregoj Mourinhos se ka gabuarNdeshja e Kupës së Mbretit erdhi në momentin e duhur për të ulur tensionin në radhët e Real Madrid, sepse përveç kualifikimit, skuadra merengues u mbështet sërish te kapiteni Ike Casillas, i cili u la në stol nga Mourinho gjatë dy ndeshjeve të fundit në kampionat.

Interpretimet janë të ndryshme sepse disa e shikojnë si zëvendësuesin e Adan, duke parë praktikat e shumë skuadrave që në ndeshje të tilla aktivizojnë portierët e dytë, por kjo nuk ka shumë rëndësi për portierin më të mirë në botë, sepse ai mendon të punojë sa më shumë duke mos e kthyer kokën pas.

“Duhet t’i tregoj Mourinhos se ka gabuar. Kjo arrihet duke punuar më shumë dhe besoj se nëse shtrëngoj dhëmbët edhe më shumë, atëherë do ta bind. Nuk më shqetësojnë aspak kërkesat e tij për t’u impenjuar sa më shumë sepse unë garoj me veten time”.

Intervista e kampionit të botës dhe Europës nuk lë hapësira për interpretime sepse pyetjes rreth të ardhmes së portugezit në stolin e Realit ai i përgjigjet kështu:

“Nuk e di se cilat janë planet e tij, ajo që di është fakti se ka firmosur deri në vitin 2016 me skuadrën tonë”.

Casillas mohon edhe zërat për transferimin në një skuadër tjetër, duke theksuar se gjithmonë ka ëndërruar që ta mbyllë karrierën te klubi ku u rrit dhe u bë i njohur.

“Unë jam një lojtar i Realit dhe do të jap maksimumin për këtë fanelë. E vlerësoj shumë mbështetjen e publikut sepse më kanë qëndruar pranë që prej 17 vjetësh”.

Në fund të intervistës, Iker premton se skuadra do të rikthehet në rrugën e sukseseve edhe pse lufta për titullin është vështirësuar.

“Tifozët duhet të kuptojnë se jemi të bashkuar dhe e ardhmja do të jetë më e mirë. E dimë se rruga është e vështirë por kemi nevojë për ndihmën e tyre si në Kampionat ashtu edhe në Kupë e Champions League”.