Ikën aktori që pati mbi dy mijë paraqitje para kamerave

Ikën aktori që pati mbi dy mijë paraqitje para kamerave

Aktori amerikan, Norman Alden, i cili ka performuar në qindra spektakle televizive, filma e reklama, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.

Ai ishte zëri i superheroit Aquaman në filmin vizatimor “Super Friends” të vitit 1970 dhe ka luajtur edhe në filma të njohur si “Back to the Future” dhe “Ed Wood”.

Alden shpeshherë ka portretizuar homoseksualët gjatë karrierës së tij që shtrihet në pesëdhjetë vjet. Familja e tij i ka thënë “The Hollywood Reporter”, se ai ka vdekur për shkaqe natyrale në një shtëpi në Los Angeles.

Ata kanë thënë se Alden është shfaqur para kamerave rreth 2 mijë e 500 herë. Ai ka luajtur në seriale televizive siç janë “Charlie’s Angels”, “JAG and Batman”. Në vitin 1985, ai ka pasur paraqitjen e parë të madhe në ekran me performancën “Back to the Future”, si pronar i kafenesë “Lou’s Café”, përkrah me Michael J Foxin dhe Christopher Lloydin.

Por një nga rolet që e bënë më të popullarizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një tjetër personazh me emrin Lou, që ka performuar për një seri reklamash. Në mesin e vitit 1970, ai performoi në shtatë episode të serisë televizive “Mary Hartman, Mary Hartman”.

Sa i përket karrierës në film, ai po ashtu ka portretizuar Johnny Ringo në filmin “The Life and Legend” të vitit 1961 dhe në “Legend of Wyatt Earp”, sikurse ka qenë zëri i Sir Kay në filmin e “Disney”, “The Sword in the Stone”.

I lindur në Fort Worth, Texas, ai ka kaluar një pjesë të jetës së tij me detyrë në Evropë, gjatë Luftës së Dytë Botërore para se të niste studimet në “Texas Christian University”.

Ai e braktisi Fort Worthin kur mbushi njëzet vjeç, për të shkuar në New York, para se të fitonte audicionin për shfaqjen “Arthur Dogfrey Talent Scouts” që e bëri të shpërngulej në Los Angeles. Ai po ashtu ka punuar si DJ në radion “KXOL Radio”. Alden ka lënë pas vetes fëmijët Brent dhe Ashley. Homazhet për të do të mbahen në Los Angeles në gusht dhe në Fort Worth në shtator.