Idrizi futbollist i vitit në Kosovë

Idrizi futbollist i vitit në Kosovë

 Idrizi futbollist i vitit në KosovëKapiteni i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi është shpallur lojtari më i mirë për vitin 2012 nga Federata e Futbollit të Kosovës, në ceremoninë solemne që u mbajt të martën në mbrëmje në hotelin “Emerald”.

Idrizi u shpreh i nderuar për marrjen e këtij çmimi dhe falënderoj bashkëlojtarët për suksesin e treguar gjatë vitit 2012. “Jam i privilegjuar që e fitova këtë çmim. Një falënderim i veçantë shkon për trajnerët, të cilët më votuan, por edhe për kryesinë e klubit dhe për bashkëlojtarët. Shpresoj se në këtë vit me Trepçën’89 të korrim edhe suksese të reja”, ka thënë Idrizi.

Ai në anketën e FFK-së, në të cilën votuan 12 trajnerët e skuadrave të Superligës fitoi me 82 pikë, duke lënë pas vetes mbrojtësin e Prishtinës, Besnik Krasniqi. Në dhjetëshen më të mirë u renditën edhe Fillim Guraziu (66), Mentor Mazrekaj (40), Leonit Abazi (39), Enis Manxholli (38), Shpëtim Babaj (34), Bajram Jashanica (30), Enis Zabërgja (30), Atdhe Gashi (23). I pranishëm në këtë mbrëmje madhështore ndër mysafirët e shumtë ishte edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Ndërkohë, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, duke i përshëndetur të pranishmit, ka thënë se FFK-ja ka bërë përpjekjet e veta maksimale për ndërkombëtarizim, por ka hasur sërish në bllokada nga më të ndryshmet.

FFK-ja ka ndarë edhe çmime tjera në këtë mbrëmje. Kësisoj, çmimi i golashënuesit më të mirë i takoi sulmuesit të Drenicës, Berat Hyseni (17 gola), derisa portieri më i mirë u shpall Enis Manxholli i Trepçës ‘89”. Çmimi i trajnerit më të mirë i takoi Rafet Prekazit, ai i gjyqtarit më të mirë, Përparim Hasanit, kurse ai i punëtorit sportiv, Abedin Zekës.

Futbollisti më perspektiv u shpall Argjend Malaj i Prishtinës, kurse në konkurrencën e femrave futbollistja më e mirë u shpall Qëndresa Krasniqi. Epiteti i klubit më të mirë i takoi Prishtinës, në futsall ky epitet shkoi për Liburnin, kurse tek femrat i takoi Kosovës (P). Kësaj radhe u shpall edhe futbollisti më i mirë në diasporë, kurse këtë çmim e fitoi Valon Behrami. Klubi më ‘fair-play’ u shpall Istogu, kurse futbollistja më perspektive Blerina Musa e Trepçës ‘89.

Në futsall epiteti i lojtarit më të mirë i takoi Ramadan Alajt, që njëherësh u shpall edhe golashënuesi më i mirë. Me mirënjohje postmortum FFK-ja nderoi Jakup Abrashin, Selami Osmanin (Bezin), Kemajl Çarkaxhiun, Ali Maralushën, Xhelal Bajramin dhe Reshat Osmanin, kurse me mirënjohje për bashkëpunim u nderuan Raiffeisen Bank, Ministria e Sportit dhe Air Prishtina. Me mirënjohje u nderua edhe doajeni i gazetarisë, Azem Brovina, si dhe punëtorët sportiv nga Diaspora: Zija Shoshi, Fehmi Konxheli dhe Ismet Mehmeti.