13hilary23

Hyseni: S’kam folur me Clintonin për PTK-në

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka thirrur sot një konferencë me gazetarë për të sqaruar “një të pavërtete ordinere, e cila po qarkullon në medie” se Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka “tradhtuar” Amerikën dhe sekretaren Hillary Clinton.

Hyseni, i cili është anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka mohuar se i ka premtuar sekretares Clinton, gjatë vizitës së saj në Kosovë, votën e LDK-së në Parlament, për strategjinë e privatizimit të PTK-së.

Hyseni tha se ka dëgjuar për këtë informacion, por nuk ka dashur të merret me të, derisa ajo u transmetua nga një eksponent i fuqishëm i PDK-së, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi. “Për hir të sqarimit të opinionit publik, ju deklaroj me përgjegjësinë më të madhe si LDK, në këtë rast, se takimi me sekretaren Clinton, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk e ka përfaqësuar LDK-në, në rend të parë, por e ka përfaqësuar Republikën e Kosovës dhe në atë takim ministri i Jashtëm ka marrë pjesë si ministër i Jashtëm dhe nuk ka folur në emër të LDK-së, por ka folur në emër të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës”.

Hyseni u shpreh se është një shtrembërim ordiner i fakteve të thuhet që në takimin me sekretaren Clinton është kërkuar vota e LDK-së për votimin e strategjisë së PTK-së.

“LDK-ja, dhe ministri i Jashtëm i deridjeshëm i Republikës së Kosovës dhe sekretari aktual i LDK-së për Marrëdhënie Ndërkombëtare konsideron madje edhe fyerje për sekretaren Clinton të aludohet që ajo ka ardhur, përkatësisht për të kërkuar votat e LDK-së për kalimin e strategjisë për privatizim. Ky lloj rezoni është një thjeshtëzim totalisht i pakuptimtë, një thjeshtëzim i cili ka me gjasë një mision të caktuar, me të cilin unë nuk merrem dhe nuk e kam ndërmend të merrem”.

Hyseni ka theksuar se LDK-ja, ka votuar dhe ka propozuar një mocion për shtyrje dhe për përgatitje të mëtejme në procesin e votimit dhe se nuk mund të thuhet se LDK-ja ka votuar kundër privatizimit, sepse nuk ka marrë pjesë në votim fare. “LDK-ja ka kërkuar që ajo të shtyhet… LDK-ja është kategorikisht për privatizimin të gjitha ndërmarrjeve në pronësi shtetërore dhe shoqërore. Të gjithë ‘dinosaurëve’, siç quhen ndonjëherë me të drejtë, të cilët janë burim i korrupsionit, burim i keqmenaxhimit, prandaj duan një titullar të qartë, i cili do të kujdeset për këto asete”.

Mirëpo, Hyseni ka shtuar se qëndrimi i LDK-së është që të gjitha privatizimet duhet të ndodhin përmes një trajtimi të kujdesshëm, procesi krejtësisht transparent dhe duke nxjerrë interesa maksimale për Republikën e Kosovës.