“Hyrja për në ferr”, në flakë prej 40 vitesh

“Hyrja për në ferr”, në flakë prej 40 vitesh

Një vrimë gjigante zjarri në zemër të shkretëtirës Karakum është një krater i krijuar nga gjeologët më shumë se 40 vjet më parë, dhe flakët brenda saj nuk kanë reshtur asnjë moment që prej atëherë.

Ajo ndodhet në fshatin Derveze, në Turkmenistan dhe banorët e quajnë, “Hyrja për në ferr”. Gjeologët sovjetikë po shponin tokën në këtë vend në vitin 1971 dhe rastësisht shpuan një kavernë të mbushur me gaz natyror.

Zona nën unazën ku po gërmohej u shemb nga brenda tokës, duke krijuar një gropë me diametër 70 metra.

Me frikën se kjo gropë e madhe do të çlironte gazra helmues, skuadra e gjeologëve vendosi t’i djegë ata, duke menduar se flakët do të zgjasnin vetëm pak ditë, por në fakt gazi vazhdon të digjet edhe sot. Flakët prodhojnë një shkëlqim të artë që mund të shihet shumë milje larg Dervezes, një fshat me popullsi rreth 350 veta.

Vendi i gropës së zjarrit ndodhet rreth 260 kilometra në veri të Ashgabat, kryeqyteti i Turkmenistanit. Që në prill të vitit 2010, Presidenti i këtij vendi, Gurbanguly Berdimuhamedov, ka urdhëruar mbylljen e kësaj grope gjigante të flaktë, por ky duket se është një mision i pamundur.