Enver Hoxhaj

Hoxhaj nuk synon karrigen e Editës

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka theksuar se zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri edhe më tutje do të jetë në krye të delegacionit të Kosovës për bisedime teknike me Serbinë. Kështu ai ka mohuar zërat e fundit se ai mund të jetë në krye të delegacionit kosovar.

“Zonja Edita Tahiri do të vazhdojë të jetë udhëheqëse e delegacionit të bisedimeve teknike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky është qëndrim që kryeministri Thaçi e ka thënë disa herë”, thekson Hoxhaj.

Mirëpo, sipas tij, mund të ketë bisedime të krerëve të lartë të shtetit të Kosovës me ata të Serbisë, por vetëm sipas karakterit ndërshtetëror.

“Edhe presidentja Jahjaga, por edhe kryeministri Thaçi në formë të qartë disa herë kanë thënë se ata nuk ju ikin takimeve në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë, mirëpo këto takime janë të karakterit bilateral, ndërshtetëror. Ndërsa sa i përket situatës në veri të vendit duhet të ketë vetëm një proces të brendshëm, një dialog të brendshëm në mes të Qeverisë dhe qytetarëve”, ka thënë ministri Hoxhaj, për “Tribuna Shqiptare”.