Hoxhaj dënon plagosjen e tre nxënësve
Plagosjen e tre nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj të hënën e ka dënuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite që i bëri Ferizajt, duke e cilësuar këtë ngjarje si një lajm jo të mirë për Kosovën.
“Lajm që edhe mua si ministër më ka prekur. Bashkëpunëtorët e mi po e përcjellin gjendjen nga afër. Sipas informatave tona, ishte një situatë konfliktuoze e krijuar jashtë objekteve shkollore para disa javëve, por i cili u bart brenda objektit shkollor”, ka thënë Hoxhaj.
Ai tha se ky është akt tejet i dhimbshëm dhe shumë i rëndë për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës.
Më këtë rast, Hoxhaj ka theksuar se tashmë kanë hartuar një strategji për parandalimin e rasteve të dhunshme nëpër shkolla si përpjekje maksimale për siguri sa më të madhe në të gjitha shkollat.
“Kemi bashkëpunim shumë të mirë në nivel lokal me komunat dhe me Policinë e Komuniteteve.
Por si rast për mendimi tim, është një rast i izoluar, që përveç shqetësimit dhe lëndimeve që ka sjell nxënësve dhe këtyre tri familjeve duhet të shihet si rast i izoluar”, ka thënë Hoxhaj, duke bërë të ditur se do të bëj përpjekje maksimale, që nxënësit të mbrohen në raste fizike, por edhe mendore.
Ndërsa kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili ka thënë se ky rast po trajtohet nga polica dhe se kryesi i tij është i njohur për policinë.
“Zënka ka ndodhur shumë më herët por jashtë objektit mësimor. Kemi të bëjmë me një huligan që ka hyrë në klasë për t’i qëruar hesapet në atë formë. Ne nuk ndihemi mirë aspak për këtë rast, por policia do ta zbardhë të tërin dhe do të ndërmarr masa”, ka thënë Xhemajli.
Mministri Hoxhaj në Ferizaj ka përuruar dy godina të reja shkollore, atë të SHF “Tefik Çanga” dhe shkollën e re në rrugën “Hasan Prishtina”. Bëhet e ditur se në Komunën e Ferizajt në shumicën e shkollave, me përjashtim të një fshati, mësimi do të zhvillohet në dy ndërrime.