Hiqet neni 3 për Amnistinë dhe ligji riprocedohet për Kuvend

Hiqet neni 3 për Amnistinë dhe ligji riprocedohet për Kuvend

Hiqet neni 3 për Amnistinë dhe ligji riprocedohet për KuvendQeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Projektligjin për amnistinë, të ndryshuar në përputhje me kërkesat e deputetëve në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, si dhe Projektligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Strategjinë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile.

Kabineti qeveritar ka aprovuar Projektligjin për amnistinë dhe e ka riproceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës, thuhet në një komunikatë për medie të Kryeministrisë. 

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar ndryshimet e bëra në Projektligjin për amnistinë, duke bërë të ditur se neni 3 është hequr në tërësi dhe po ashtu  është shtuar neni që thotë se “të gjitha veprat penale që kanë rezultuar me lëndime trupore dhe me vrasje nuk do të amnistohen” .

Zëvendëskryeministri Kuçi po ashtu bën të ditur për  takimin e sotshëm  me partitë tjera politike, me LDK-në dhe AAK-në, të cilat janë pajtuar që ky Projektligj të procedohet dhe javën tjetër të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Projektligji i dytë i miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është Projektligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. Projektligji rregullon kushtet dhe procedurat për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale mes Republikës së Kosovës dhe shteteve të tjera, në qoftë se nuk është përcaktuar ndryshe me marrëveshje ndërkombëtare.

Sipas projektligjit, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar mund të realizohet edhe në lidhje me organizatat apo institucionet ndërkombëtare, atëherë kur është i nevojshëm. Në mungesë të një marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të huaj, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar mund të ofrohet mbi bazën e parimit të reciprocitetit.

Procedurat gjyqësore të ofrimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar rregullohen me dispozitat e procedurës penale, përveç nëse ndryshe është paraparë me këtë Ligj. Republika e Kosovës duhet të zbatoj formalitetet dhe procedurat  e përmendura shprehimisht nga shteti kërkues, nëse formalitetet dhe procedurat e tilla nuk janë në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës vendore.

Strategjia për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017, e miratuar sot nga kabineti qeveritar, synon gjetjen e formave të bashkëpunimit, përfshirjes së shoqërisë civile në politikëbërje dhe përkrahjes së organizatave të shoqërisë civile./koha/