main_veriu2

Hezitimi ndërkombëtar për intervenim në veri

Të veshur me petkun fetar, disa priftërinj ortodoksë serbë gjatë trazirave të fundit në veri kanë kryer ritet fetare për disa ditë nëpër barrikadat e serbëve në Zupçë dhe Rudare. Në mesin e mbi një mijë serbëve, në prani të një kryqi dhe flamuri gjigant rrinin plot gra, jo pak prej të cilave kishin marrë edhe foshnjat me veti.

Të gjithë ishin përballë automjeteve të blinduara të KFOR-it, që prisnin urdhrin për heqjen me forcë të barrikadave që ishin ngritur brenda pak sekondash nga serbët kur kanë parë arritjen e forcave të ROSU në veri. Skenari lehtësisht mund të paramendohej: nëse intervenohet, në të gjithë botën do të harrohej prania e kriminelëve të armatosur, pasi askush nuk do të mund të injoronte përgjakjen e priftërinjve, të grave dhe fëmijëve serbë.

Në të gjitha bisedat me përfaqësues të KFOR-it, ata kujtojnë se misionet ndërkombëtare kanë të gjitha mundësitë teknike për të intervenuar në veri.

“Nëse larguam mbi 200 mijë pjesëtarë të ushtrisë e policisë serbe në vitin 1999, padyshim se është shumë më i lehtë largimi i disa qindra kriminelëve nga veriu i Kosovës”, thonë ata për “Zëri”.

“Mos mendoni se CNN apo BBC do të merrej me reciprocitetin apo kontrabandën në një vend të vogël si Kosova, kur nga veriu merr edhe pamje të përgjakjes së njerëzve me petk fetar”, thotë një nga ekspertët e NATO-s në Kosovë, duke folur në kushte anonimiteti.

Duke arsyetuar mosndërhyrjen me forcë në veri “ditëve të nxehta” në fund të korrikut, ai thotë se “askush në Londër apo Nju Jork nuk do të pyes nëse priftërinjtë bekonin radikalë e njerëz të krisur, por të gjithë do ta gjykonin pamjen e priftit të përgjakur”.

Për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Agim Musliun, ndonëse intervenimi me forcë është i domosdoshëm, një internim ku do të kishte viktima në civilë do ta dëmtonte interesin e vendit tonë.

“Në barrikada ku dalin gra e fëmijë duhet të veprohet pak më ndryshe. Në këso raste një nga metodat është që fillimisht të hidhet gaz lotsjellës për të bërë shpërndarjen e civilëve, ndërsa ata të tjerët që përgjigjen me armatime… dihet se çfarë përgjigje është e nevojshme”.

Pavarësisht arsyetimeve që mund të përmenden nga misionet ndërkombëtare, për Musliun duhet “që puna e filluar me 25 korrik të mos lihet e papërfunduar pasi në asnjë vend të botës nuk ka mundësi të detyrosh dikë për ta implementuar ligjin pa forcë”.